Eurodeputetja Viola Von Cramon, Foto: Zyra e Kryeministrit e Kosovës

Cramon: Përfaqësuesit serbë në Qeverinë e Kosovës refuzuan të takohemi

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se gjatë vizitës së saj është takuar me politikanë nga Kosova, por që sipas saj ata serbë nuk i kanë shkuar në takim.

“Jam takuar me përfaqësues serbë, por jo me kryetarin dhe jo me përfaqësuesit serb në Qeveri, ata e kanë refuzuar kërkesën tonë për tu takuar, dhe me të vërtetë më vjen keq në këtë situatë. Me shoqërinë civile ka qenë një takim i dobishëm dhe kemi pasur një pasqyrë të plotë, si është gjendja në veri”, tha ajo.

Cramon nuk dha deklaratë nëse në Kosovë duhet të lejohen zgjedhjet serbe.

“Për zgjedhjet, ne kemi biseduar rreth kësaj, dhe është interesi i BE-së për të gjetur zgjidhje për të gjithë, nuk mund të futem në detaje, ne duam që njerëzit të votojnë, për çdo gjë tjetër nuk mund të deklarohem”, tha ajo.

Cramon nga Mitrovica, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje edhe për bllokadën e urës së Ibrit.

“Mendoj që kjo i takon dy palëve për ta gjetur një marrëveshje, dhe për njerëzit që jetojnë këtu ta kenë infrastrukturën. Nëse kjo është pjesë e dialogut nuk është tek unë që të komentoj ndonjë pozicion të posaçëm, më parë do të kërkoja që palët të gjejnë zgjidhje dhe të punojnë në zbatim, unë shpresoj që do të gjejnë zgjidhje sa më parë që të jetë e mundur”, tha ajo.

Von Cramon këto dy ditë ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë ku ka takuar mes tjerësh, kryepalamentarin Glauk Konjufca, kryediplomaten Donika Gërvalla si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.