Ilustrim

COVID-19, mbi 1 mijë e 100 pacientë të shtrirë nëpër klinika e spitale rajonale

1 mijë e 116 pacientë janë të shtrirë nëpër klinikat COVID dhe spitalet rajonale. Sipas raportit ditor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës 37 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa 935 pacientë të tjerë janë nën asistim me oksigjeno- terapi.

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka të shtrirë 117 pacientë, kjo klinikë ka 120 shtretër që sipas numrit të pacientëve të shtrirë në këtë klinikë janë vetëm edhe tre vende të lira.

Përveç Infektives pacientë të infektuar apo të dyshuar për COVID-19 janë duke trajtuar edhe gjashtë klinika tjera. Klinika Infektive 2 apo Mjekësisë Sportive e cila ka 86 pacientë, Klinika Infektive 3 apo Interno ka 60 pacientë, Mjekimi Intensiv Qendror ka 11 pacientë, në Pulmologji janë 85 pacientë të shtrirë përderisa në klinikën e fëmijëve apo në Pediatri janë 13 pacientë si dhe në Gjinekologji 24 pacientë.

Në spitalet rajonale janë duke u trajtuar 720 pacientë, 603 prej tyre janë me oksigjeno – terapi.

Në raportin e ShSKUK-së bëhet e ditur se spitali rajonal i Pejës ka më së shumti pacientë të shtrirë për trajtim, 180 sosh, pastaj është spitali i Prizrenit me 143 pacientë, ai i Gjakovës me 129 pacientë, 125 pacientë janë duke u trajtuar në spitalin e Gjilanit, në spitalin e Ferizajt janë 82 pacientë, 40 në Mitrovicë si dhe 21 në spitalin e Vushtrrisë.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë për 24 orë kanë vdekur 18 qytetarë me COVID-19 ndërsa janë shënuar 2 mijë e 295 raste pozitive nga 12 mijë e 406 testime të bëra në terren nga Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Prishtina është komuna me më së shumti raste aktive me SARS-CoV-2, 4 mijë e 587 raste aktive.