Ilustrim

Coronavirusi: Laboratori i dyshuar kinez mohon përgjegjësinë

Drejtori i laboratorit për të cilin mediat amerikane raportuan se është burimi i mundshëm i coronavirusit të ri e ka mohuar në mënyrë kategorike përgjegjësinë.

“Është e pamundur që ky virus të ketë rrjedhur nga ne”, ka deklaruar në një intervistë për televizionin shtetëror CGTN, Yuan Zhiming, drejtor i Institutit të Virologjisë në Wuhan, qyteti epiqendër e pandemisë, raporton Le Figaro.

Sipas shumicës së shkencëtarëve, coronavirusi i ri me gjasë është bartur te njeriu nga një kafshë.

Një treg në qytetin e Wuhanit është fajësuar sepse në të janë shitur kafshë të egra të gjalla.

Mirëpo, prania pak kilometra tutje e këtij instituti të virologjisë ka ushqyer hipotezat për një rrjedhje prej aty të coronavirusit.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë lloje kërkimesh bëhen në institut dhe se si menaxhohen viruset dhe mostrat”, ka shtuar drejtori i këtij institut.

“Vetëm pse instituti gjendet në Wuhan njerëzit nuk do të duhej të bënin ndërlidhje të tillë”, ka shtuar ai, duke akuzuar mediat “se po përpiqen me qëllim të mashtrojnë njerëzit me informacione tërësisht të bazuara në spekulime dhe pa prova”.

Sipas “Washington Post”, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Pekin, pas shumë vizitave në institut, ka alarmuar më 2018 autoritetet amerikane rreth masave të sigurisë në dukje të pamjaftueshme në një laborator që studionte coronavirusin që vinte nga lakuriqët, shkruan Le Figaro.

Në gjithë botën, deri më sot me coronavirusin e ri janë infektuar mbi 2.3 milionë njerëz, prej të cilëve mbi 160 mijë kanë vdekur.

Edhe në Kosovë, coronavirusi ka shkaktuar 12 viktima, e 510 të infektuar.