Çmimi Nobel për Fizikë u ndahet tre fizikanëve

Çmimi Nobel për Fizikë për këtë vit shpërblen eksperimentet me dritën që kapin “momentet më të shkurtra” dhe hapin një dritare drejt botës së elektroneve.

Sipas BBC, çmimi u është ndarë fizikanëve Pierre Agostini, Ferenc Krausz dhe Anne L’Huillier.

Puna e tyre tregoi një mënyrë për të krijuar impulse jashtëzakonisht të shkurtra drite që mund të përdoren për të kapur dhe studiuar procese të shpejta brenda atomeve.

Fituesit do të ndajnë çmimin prej 11 milionë kronash suedeze (950,633 euro).

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka thënë se eksperimentet e tre laureatëve prodhuan “pulse drite aq të shkurtra sa ato maten në attosekonda”.

Një attosekond është një e kuintilionta e sekondës – është për një sekondë sa është një sekondë për moshën e Universit.

Kjo punë tregoi se këto impulse të shkurtra pothuajse të paimagjinueshme mund të përdoren për të studiuar se si sillen elektronet, raporton BBC.

Elektronet janë grimca brenda atomeve dhe ato lëvizin jashtëzakonisht shpejt – në të miliardat e sekondës. Përpara zbulimeve të laureatëve, ato në mënyrë efektive dukeshin si turbullira në mikroskopët më të avancuar – lëvizja dhe sjellja e tyre ishte shumë e shpejtë për t’u ndjekur.

Eva Olsson, kryetare e Komitetit Nobel për Fizikë, ka thënë se: “Tani mund të hapim derën për botën e elektroneve. Fizika Attosecond na jep mundësinë t’i kuptojmë mekanizmat që drejtohen nga elektronet”.

Përgatiti: Nuhi Shala