Alain Aspect, John F. Clauser dhe Anton Zeilinger fitojnë çmimin Nobel 2022 për fizikë

Alain Aspect, John F. Clauser dhe Anton Zeilinger kanë fituar çmimin Nobel të këtij viti në fizikë për punën e tyre në mekanikën kuantike, njoftoi të martën Instituti Karolinska i Suedisë.

Instituti në fjalë tha se shkencëtarët ishin njohur për “eksperimente me fotone të ngatërruara, duke e vërtetuar shkeljen e pabarazive të Bell dhe shkencën pioniere të informacionit kuantik”.

Çmimi më prestigjioz

Çmimi Nobel konsiderohet çmimi më prestigjioz në fushat që jepet. Fitues të dukshëm në fizikë kanë përfshirë Marie Curie, Albert Einstein dhe James Chadwick.

Të trija çmimet e shkencës i marrin gjithmonë tri ditët e para të një jave të çmimeve Nobel, me fiziologji dhe mjekësi të hënën, fizikë të martën dhe kimi të mërkurën. Çmimet Nobel për letërsinë, paqen dhe shkencat ekonomike vijojnë nga e enjtja.

Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi fituan çmimin e fizikës vitin e kaluar për punën e tyre në modelimin e ndryshimeve klimatike.

Fituesit e këtij viti marrin një çmim në para prej 10 milionë korona suedeze (rreth 920,000 euro; 908,000 dollarë), një medalje Nobel dhe famë botërore. Çmimet do të shpërndahen në një darkë gala në dhjetor.

Trashëgimia e Nobelit

Çmimi Nobel për fizikë është dhënë 115 herë që nga viti i parë i çmimit në vitin 1901. Është marrë nga 218 shkencëtarë, por vetëm nga katër gra.

Gruaja e parë që fitoi çmimin Nobel ishte Marie Curie. Ajo e fitoi atë dy herë, një herë për fizikë në vitin 1903 dhe një herë për kimi në vitin 1911.

Burri i saj u nderua fillimisht me çmimin në vitin 1903, duke e pranuar atë vetëm me kusht që të njihej edhe kontributi i saj.

Alfred Nobel e vendosi çmimin në testamentin e tij përpara se të vdiste në vitin 1896. Ai la pjesën më të madhe të parave të tij për vendosjen e “çmimeve për ata që, gjatë vitit paraardhës, do t’i kenë dhënë përfitimet më të mëdha njerëzimit” në fizikë, kimi, mjekësi, letërsi dhe paqe”.

Nobeli, shpikësi i dinamitit dhe eksplozivëve ushtarakë, e krijoi në mënyrë të famshme çmimin në mënyrë që të mund të linte një trashëgimi më të mirë pasi u kritikua për “gjetjen e mënyrave për të vrarë më shumë njerëz më shpejt se asnjëherë më parë”. Kështu shkruante një gazetar në një nekrologji të botuar tetë vjet para vdekjes reale të Nobelit. Artikulli u botua gabimisht pas vdekjes së vëllait të Nobelit.

Çmimi i parë Nobel në fizikë iu dha shkencëtarit gjerman Wilhelm Röntgen për zbulimin e tij të teknologjisë së rrezeve X./Deutsche Welle