Çka është Republika Srpska?

Republika Srpska është një entitet politik i pazakontë që u themelua nga shpërbërja e dhunshme e Jugosllavisë. Është e pavarur në disa mënyra, por është edhe pjesë e vendit më të madh, Bosnjes dhe Hercegovines.

Republika Srpska është një nga dy entitetet që i përkasin Bosnjës dhe Hercegovinës. Nuk është njësoj si Serbia.

Gjeografi e komplikuar

Republika Srpska përbëhet nga dy njësi të veçanta, të lidhura nëpërmjet një distrikti neutral, Brçko, në veri. Distrikti Brçko u krijua pas luftës në vitin 1995 për të siguruar që serbët e Bosnjës të mos e kontrollonin një territor të vetëm, të vazhdueshëm brenda Bosnjës dhe Hercegovinës, në kufi me Serbinë. Brçko e ka statusin e vet administrativ brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Republika Srpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës

Së bashku, Republika Srpska dhe Federata e Bosnje dhe Hercegovinës e përbëjnë shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës. Është shtëpia e boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.

Sipas kushtetutës, shteti i Bosnjë-Hercegovinës është përgjegjës për punët e veta të jashtme, tregtinë e jashtme, politikën doganore dhe valutore, si dhe çështjet e migracionit, zbatimin e ligjit ndërkombëtar, telekomunikacionin dhe hapësirën e tij ajrore. Ajo gjithashtu e ka fituar kontrollin mbi politikën e saj të mbrojtjes në vitin 2006, pas miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Shumë pro-ruse

Ndërkohë që BE-ja mbetet jopopullore në Republikën Srpska, Rusia ka shumë mbështetës atje. Më 9 janar, Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik i dha presidentit rus Vladimir Putin nderimin më të lartë të entitetit për “shqetësimin e tij patriotik dhe dashurinë për Republikën Srpska”.

Nderimi u bë në 31-vjetorin e themelimit të këtij subjekti, i cili nuk është as shtet i duhur dhe as kërkon të jetë i tillë. Përkundrazi, Republika Srpska dëshiron t’i shohë “të gjithë serbët të bashkuar në një shtet të vetëm” – një provokim i madh për Bosnje dhe Hercegovinën dhe për Evropën.

Si u themelua Republika Srpska

Më 9 janar të viti 1992, asambleja serbe e Bosnjës e shpalli Republikën Srpska “Republikën e pavarur të popullit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës”. Njoftimi konsiderohet të jetë një nga shkaqet e luftës në Bosnje, e cila rezultoi me vdekjen e mbi 100,000 njerëzve, me qindra mijëra të tjerë u detyruan të  largohen.

Gjatë konfliktit të armatosur atje, aktorë nacionalistë nga të gjitha palët ndërluftuese kryen krime lufte. Nga pala serbe, liderët politikë Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq dhe ish-kryetarja e parlamentit Biljana Plavshiq hynë në histori për rolin e tyre në urdhërimin ose miratimin e spastrimit etnik.

I njihet status quo-ja e re territoriale

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 i dha fund luftës, por gjithashtu njohu status quo-në e re territoriale. Që atëherë, pothuajse gjysma e Bosnjë-Hercegovinës përbëhet nga Republika Srpska, e populluar nga 1.2 milionë njerëz, shumica e të cilëve janë serbë.

Sistemi i pavarur politik

Republika Srpska e ka sistemin e saj politik me një gjyqësor të pavarur. Edhe pse Sarajeva është kryeqyteti i saj zyrtar sipas kushtetutës, selia de facto e qeverisë ka qenë Banja Luka që nga viti 1998.

Fantazmat e së kaluarës

Ballafaqimi me kriminelët e dënuar të luftës ka qenë një çështje thellësisht e diskutueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ende mbetet nën vëzhgimin ndërkombëtar. Në mënyrë kontroverse, disa kriminelë lufte ende nderohen sot në Republikën Srpska.

Përfaqësuesi i Lartë

Disa javë më parë, Përfaqësuesi i Lartë i Gjermanisë për Bosnje dhe Hercegovinën, Christian Schmidt, u nxit për t’ia kujtuar njerëzve dhe politikanëve të Republikës Srpska se Karaxhiq dhe Mlladiq ishin “autorë të gjenocidit”, të dënuar si kriminelë lufte nga gjykatat ndërkombëtare.

Identitetet kombëtare dhe feja

Ka de fakto shumë pak dallime mes boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve. Emri dhe mbiemri ndryshojnë dhe po ashtu edhe gjuha. Dallimet më të theksuara mund të shihen në përkatësitë fetare. Boshnjakët priren të jenë myslimanë, kroatët janë katolikë dhe serbët janë të krishterë ortodoksë.

Diferenca të tilla kanë qenë pengesa në rrugën e themelimit të një shteti dhe shoqërie të bazuar në qytetari për vite me radhë. Në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, për shembull, pothuajse të gjitha pozitat zyrtare ndahen midis boshnjakëve dhe kroatëve. Individët që nuk ndiejnë besnikëri ndaj ndonjërit prej tri kombeve përbërëse përjashtohen nga mbajtja e posteve të caktuara politike.

Probleme që ende vazhdojnë

Në përvjetorin e themelimit të Republikës Srpska, presidenti serb Aleksandar Vuçiç e dërgoi djalin e tij Danilo në këtë entitet për ta shënuar këtë ngjarje. Kjo nënkuptonte mbështetjen politike të Serbisë për përpjekjet e Presidentit Milorad Dodik për ta arritur pavarësinë për Republikën Srpska. Ambasada e SHBA në Sarajevë e ka kritukuar këtë vendim nga Vuçiqi përmes llogarisë së saj në Tëitter./DW

Përgatiti: Nuhi Shala