Milorad Dodik dhe Vladimir Putin, Foto: Faqja e Presidentit të Rusisë

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, e nderon me medalje në mungesë presidentin rus Putin

Presidenti rus Vladimir Putin u nderua në mungesë nga lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik të dielën, gjatë një ceremonie për ta shënuar festën kombëtare të Republikës autonome Serbe të Bosnjës.

Putinit iu dha medalja për “kujdesin dhe dashurinë e veçantë patriotike ndaj Republika Srpska” dhe meritat në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve politike midis “shteteve mike të Republikës Srpska dhe Federatës Ruse”, thanë moderatorët gjatë ceremonisë.

Republika Serbe është një rajon që e përbën Bosnjën së bashku me Federatën autonome Boshnjako-Kroate.

Dodik, presidenti separatist i rajonit i cili ka favorizuar prej kohësh lidhjet me Rusinë në vend të atyre me Perëndimin, i dha vlerësimin presidentit rus Putin për mbështetje të besueshme për Republikën Serbe dhe tha se do t’ia dorëzonte medaljen në takimin e tyre të ardhshëm.

“Falë pozicionit të Vladimir Putinit dhe forcës së Federatës Ruse, zëri dhe pozicioni i Republikës Srpska është dëgjuar dhe respektuar”, tha ai.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Dodik ishte përpjekur t’i bllokonte përpjekjet e presidencës trepalëshe që Bosnja t’i bashkohej sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Në të njëjtën kohë, të dërguarit rusë e kanë mbështetur Dodikun në vendimet e tij secesioniste që kanë si qëllim dobësimin e qeverisë qendrore.

Muajin e kaluar, Rusia e denoncoi BE-në për dhënien e Bosnjës statusin e kandidatit për t’u bashkuar me bllokun e BE-së. Ajo ka paralajmëruar më parë se do t’i konsiderojë vendimet e Bosnjës drejt anëtarësimit në NATO si një “akt armiqësor”./Reuters