Parlamenti Evropian, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Çfarë duhet të dini për zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian?

Zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian do të mbahen në të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian nga 6 deri më 9 qershor. Rreth 370 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në gjithë bllokun, por jo të gjithë do të dalin në zgjedhje.

Sipas një sondazhi së fundmi, rreth 71 për qind e të anketuarve synojnë të votojnë dhe kjo do të ishte një shifër tejet e mirë. Në zgjedhjet e kaluara, më 2019, dalja në zgjedhje në gjithë BE-në ishte 50.7 për qind.

Kjo shifër vlerësohej si e mirë, sepse ishte hera e parë që numri ishte rritur prej se zgjedhjet e drejtpërdrejta për Parlament filluan të mbahen më 1979, duke i dhënë fund një trendi të rënies së vazhdueshme të përqindjes së daljes në zgjedhje.

Natyrisht, dalja në zgjedhje ndryshon shumë nga vendi në vend. Në Belgjikë dhe në Luksemburg, ku hedhja e votës është e detyrueshme, dalja në zgjedhje ishte gati 90 për qind para pesë vjetëve, ndërsa në Republikën e Çekisë ishte vetëm 28 për qind dhe në Sllovakinë fqinje vetëm 22 për qind.

Për çfarë do të votojnë njerëzit në të vërtetë?

Qytetarët e BE-së do t’i zgjedhin 720 anëtarë të Parlamentit nga të gjitha vendet anëtare, bazuar kryesisht në madhësinë e popullsisë së secilit vend. Pra, Gjermania do të dërgojë më së shumti ligjvënës në Bruksel/Strasburg – 96 eurodeputetë – ndërsa Qiproja, Luksemburgu dhe Malta nga 6 sosh secila.

Demokracia evropiane është paksa e çuditshme, dhe ndër çudirat e saj është se nuk e ka një “popull” evropian por 27 – që nënkupton se, derisa zgjedhjet quhet europiane, në to garojnë partitë politike nacionale si, për shembull, social-demokratët në Gjermani (SPD), apo partia konservatore spanjolle Partido Popular (PP). Por, sapo eurodeputetët të emërohen nga listat nacionale, ata kanë prirje të bëhen pjesë e grupeve, apo familje politike trans-evropiane.

Në Parlamentin e mandatit 2019-2024 kishte shtatë grupe të tilla, të cilat duhet të përbëhen nga së paku 23 eurodeputetë nga të paktën shtatë vende të BE-së. Pritet që këto grupe të mbesin, por nuk mund të hidhet poshtë mundësia e krijimit të grupeve të reja. Lufta për eurodeputetë nga të gjitha anët ka filluar tashmë dhe vetëm sa do të rritet.

Cilat janë grupet politike?

Grupi më i madh politik është ai i qendrës së djathtë, Partia e Popullit Europian (EPP) – pjesë e së cilës janë CDU-ja gjermane dhe Platforma Civile polake (PO) – i ndjekur nga Socialistët dhe Demokratët (S&D) – që sjell së bashku partitë socialdemokrate të qendrës së majtë. Pastaj ka shumë grupe të tjera, duke nisur me Renew, i cili mbledh partitë liberale dhe ato të qendrës, siç është Partia Renaissance e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Pastaj është grupi i të Gjelbërve, ku bëjnë pjesë partitë e gjelbra dhe ato ekologjike, por edhe partitë pirate dhe separatistët katalanas. Grupi GUE/NGL grumbullon partitë komuniste dhe të ekstremit të majtë, ndërsa në anën tjetër të spektrit ideologjik janë Reformistët dhe Konservatorët Evropianë (ECR), të cilët vlerësohen nga disa si nacionalistë.

Një grup tjetër përbëhet nga partia çeke ODS, partia polake Ligj dhe Drejtësi (PiS), Demokratët Suedezë, Partia Finlandezët dhe partia e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, Vëllezërit e Italisë.

Dhe në fund është grupi Identiteti dhe Demokracia (ID), i cili ka anëtarë si partia e Marine Le Penit Lëvizja Nacionale, Partia e Lirisë e Austrisë (FPO) dhe Liga (Lega) e Matteo Salvinit. Ka edhe një numër partish pa grupe, të cilët shpesh ishin pjesë e ndonjërit prej grupeve, por u dëbuan dhe nuk kanë gjetur ende grup të ri. Ndër ta është partia Fidesz e Viktor Orbanit, e përjashtuar nga grupi EPP më 2021, apo Smeri i Robert Ficos, që u përjashtua nga S&D vitin e kaluar.

Pse kanë rëndësi grupet politike?

Nuk duhet të shpërfillet rëndësia e grupeve politike në Bruksel. Ato janë sikur një familje e mirëfilltë, sepse kujdesen për anëtarët e vet dhe i promovojnë ata kurdo që u jepet mundësia.

Sa më e madhe që është familja, aq më shumë kohë fiton për të folur në Parlament. Mundësitë janë gjithashtu më të mëdha për ta siguruar postin e kryetarit të një komiteti me ndikim, postin e presidentit apo zëvendëspresidentëve të Parlamentit.

Sa ma i madh që të jetë grup, aq ma të mëdha do të jenë shanset që ndryshimi i një ligji të mbështetet, apo që raporti i grupit tuaj do të gëzojë mbështetje për t’u miratuar. Duke mos qenë pjesë e një grupi, ndikimi juaj është zero. Në këtë Parlament sundojnë familjet.

Pra, kush fiton?

Askush, në të vërtetë. Politikat europiane kanë të bëjnë me ndërtimin e koalicioneve, në fund të fundit. Sipas të gjitha gjasave, EPP-ja do të dalë e para përsëri, siç ka bërë në çdo palë zgjedhje për Parlament Europian prej vitit 1999. Sondazhet sugjerojnë se ajo do t’i fitojë rreth 170 ulëse në Parlamentin e ri, që është më pak se para pesë vjetëve, dhe shumë më pak se në të kaluarën kur fitonte rregullisht nga 200 ulëse.

S&D-ja me gjasë do të përfundojë e dyta, sikur në të kaluarën, me rreth 140 ulëse, njëlloj si më 2019. Pesë grupet e tjera parashikohet të fitojnë nga 30 deri në 80 ulëse secili. Duket se Renew dhe të Gjelbërit do të humbin ulëse, krahasuar me pesë vjet më parë, ndërsa ECR-ja do të fitojë më shumë. Por mund të ketë mbi 100 eurodeputetë që deri tani nuk janë pjesë e asnjë grupi, apo familjeje politike. Shumica e tyre do të jenë populistë, prandaj ka gjasa që të bëhen pjesë e ID-së apo ECR-së, apo të ndonjë grupi tjetër të djathtë që do të formohet.

Populistët e djathtë fitues të mëdhenj?

Po dhe jo. Nëse llogarisim ulëset e projektuara për ID-në, ECR-në dhe deputetët pa grupe, të cilët me gjasë do të jenë djathtistë gjithashtu, dhe e shtojmë EPP-në e qendrës së djathtë, atëherë kemi 400 ulëse, pra një shumicë. Ama prisni. EPP-ja është, para së gjithash, shumë e zakonshme me një brez federalist në Parlamentin Evropian.

Është përfolur me vite për një supergrup euroskeptik, por deri tani nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe nuk ka gjasa të ndodhë as tani. Pse? Është e pamundur ta zgjidhesh problemin e të qenët nacionalist në nivel evropian. Prandaj, shumë të ashtuquajtur populistë ndahen në dy grupe, ECR dhe ID, dhe mbase do ta krijojnë edhe të tretin. Ata mund të pajtohen se Brukseli duhet të ketë më pak pushtet.

Fakti që Fidesz është ende pa familje pas tri vjetëve e dëshmon këtë, por asgjë nuk i pasqyron më mirë ndarjet mes djathtistëve sesa lajmi i fillim majit, kur AfD-ja gjermane u përjashtua nga grupi ID, pasi njëri prej liderëve të saj tha në një intervistë se jo çdo anëtar i njësitit nazist SS gjatë Rajhut të Tretë “është automatikisht kriminel”.

Vendimi për përjashtimin e tyre u nxit nga Marine Le Pen, e cila ka vite që përpiqet ta zbusë imazhin e vet dhe të partisë, pasi ka thashetheme se ajo mund të kërkojë t’i bashkohet ECR-së në të ardhmen.

Ka thashetheme gjithashtu se Giorgia Meloni, ardhja e së cilës në pushtet vite më parë nxiti frikë nga disa se Italia mund të flirtojë më fashizmin, do të tentojë ta zbusë imazhin edhe më shumë duke e bashkuar partinë e vet Vëllezërit e Italisë me EPP-në. Prandaj, “ngritja e djathtistëve” mund të jetë thjesht histeri mediatike.

A do të ketë ndikim në politikat e BE-së?

Këtu lind edhe një çudi tjetër evropiane: Parlamenti Europian nuk është sikur parlamentet e zakonshme nacionale të zgjedhura në mënyrë demokratike, në kuptim se eurodeputetët nuk propozojnë ligje vetë.

Në BE, është Komisioni Evropian ai që gëzon të drejtën për nisma dhe e fillon përpilimin fillestar të një ligji të mundshëm të ri. Parlamenti Evropian bëhet pastaj bashkëlegjislator me Këshillin, në të cilin përfaqësohen vendet anëtare, që nënkupton se ato e rregullojnë ligjin e propozuar, shpesh duke bërë pazare me Komisionin dhe Këshillin për muaj apo vite, para se të arrijnë pajtueshmëri dhe ta bëjnë atë ligj në tërë bllokun.

Parlamenti Evropian është më i dobëti në mesin e këtyre tri institucioneve.

Pse duhet ta çaj kokën për zgjedhjet për Parlamentin Europian atëherë?

Epo, këtu bëhet vërtet interesant! Parlamenti Europian po përpiqet fort të bëhet i rëndësishëm për votuesin mesatar evropian.

Në disa mënyra, edhe ia ka dalë mbarë. Merreni shembullin e kandidatit kryesor – i njohur në Bruksel me emrin gjerman Spitzenkandidat. Kjo ishte bërë për zgjedhjet për Parlament Evropian më 2014 dhe funksionin kështu: Grupet politike e nominojnë një person dhe nëse grupi politik del i pari në zgjedhje, atëherë personi i tij nominohet për postin e rëndësishëm të presidentit të Komisionit Europian.

Më herët, për atë pozitë, si dhe për pozitat e presidentit të Këshillit Evropian dhe shefit të BE-së për politikë të jashtme, vendosnin liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së përmes marrëveshjeve të fshehta në Bruksel, duke i marrë parasysh jo vetëm lidhjet partiake, por edhe gjininë dhe gjeografinë. Në thelb, tri pozitat duhet të ziheshin nga burra dhe gra, për ta pasqyruar baraspeshën veri-jug, lindje-perëndim të bllokut, me tri partitë më të mëdha politike, normalisht EPP-së, S&D-së dhe Renew-s që merrnin nga një pozitë secila.

Këtë vit, Ursula Von der Leyen po kërkon të rizgjidhet presidente e Komisionit Europian dhe është kandidate kryesore nga EPP-ja, e cila, siç u përmend më lart, pritet të dalë e para në zgjedhje.

Çfarë ndikimi mund të ketë Parlamenti Europian në politikat e jashtme të BE-së?

Nëse je qytetar i BE-së, duhet të të interesojë Parlamenti Europian. Ai mund të mos jetë institucioni më i fuqishëm në Bruksel, por është me ndikim, sepse është bashkëlegjislator në politika të rëndësishme si, energjia, transporti, mjedisi dhe mbrojtja e konsumatorit.

Disa eurodeputetë gjithashtu i përmirësojnë aftësitë e tyre në Parlament për t’u bërë më vonë ministra të nivelit të lartë në vendet e tyre përkatëse, ndërsa ish-liderëve u pëlqen të përfundojnë në Parlamentin Europian, prandaj ai është diçka që ia vlen ta ndjekësh.

Por nëse nuk jeni qytetar i BE-së dhe vret mendjen për rolin që Parlamenti Europian luan në botën e gjerë, atëherë duhet ta dish këtë: Parlamenti Europian nuk i drejton politikat e jashtme të BE-së.

Politikat e jashtme të BE-ë dhe ato për zgjerim janë vetëm në dorën e shteteve anëtare të bllokut dhe askujt tjetër. Parlamenti Europian nuk pyetet për politikat për sanksionet. Derisa e ka votën përfundimtare për ta pranuar një shtet të ri anëtar, Parlamenti nuk pyetet fare për asnjë prej hapave paraprak: dhënien e statusit të vendit kandidat, vendimin për nisjen e bisedimeve, hapjen dhe mbylljen e mbi 30 kapitujve të pranimit.

Për më tepër, Parlamenti Europian ka prirje të jetë gjithmonë për pranimin e një vendi, prandaj vota është gjithmonë vendim i ditur./REL