Britania e Madhe, Foto: Pixabay

Britania i bashkohet thirrjes së BE për angazhim konstruktiv dhe pa vonesa në dialog nga Kosova dhe Serbia

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë i është bashkuar thirrjes së Bashkimit Evropian që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në gjetjen e një plani për zbatimin e marrëveshjes.

Ambasada ka shpërndarë reagimin e deklaratën e Bashkimit Evropian në të cilin u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, përderisa kanë theksuar se puna për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht.

“Britania e Madhe qëndron pas këtij apeli të qartë nga Bashkimi Evropian që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë pa vonesa të mëtejshme”- thuhet në postimin në platformën X.

Bashkimi Evropian ka reaguar përmes një komunikate për media pas takimit të 14 shtatorit në Bruksel për dialogun Kosovë-Serbi. BE në reagim shpreh shqetësimin për mungesën e angazhimit nga dy palët për zbatimin e marrëveshjes bazë dhe anekset të zbatimet të saj.

BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim, përderisa kanë theksuar se puna për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht.

“Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e Dialogut të kaluar. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm”- thuhet në komunikatë.

Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari Miroslav Lajçak.

Takimi u përmbyll pa progres.

Nga BE thanë se progres nuk pati për shkak të qëndrimeve të Kurtit.

Ndërsa Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve në takim.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit…”.

BE i rikujton Kurtit dhe Vuçiqit parimin e konfidencialitetit në dialog, kërkon themelimin e Asociacionit pa vonesa e parakushte