Ish-presidentit Trump do t’i lejohet kthimi në Facebook dhe Instagram

Ish-presidentit amerikan, Donald Trump do t’i lejohet kthimi në rrjetet sociale në Facebook dhe Instagram pasi kompania Meta njoftoi se do t’i jap fund pezullimit 2-vjeçar të llogarive të tij.

Pezullimi do të përfundojë “në javët e ardhshme”, thuhet në një komunikatë nga ky rrjet i mediave sociale.

Ish-presidenti i SHBA-së u pezullua për një kohë të pacaktuar nga Facebook dhe Instagram pas trazirave të cilat ndodhën në Kapitol Hill në vitin 2021.

Meta i kishte ndërmarrë këto veprime pasi Trump i kishte lavdëruar protestuesit e dhunshëm të përfshirë në Kapitol Hill.

Sipas zyrtarëve të Meta, llogaritë e Trumpit nuk përfaqësonin më një rrezik serioz për sigurinë publike.

Mirëpo, për shkak të “shkeljeve” në të kaluarën, Trump tani do të përballet me dënime të larta për shkelje të përsëritura.

Republikanët kanë bërë presion që Trump të lejohet të kthehet në Facebook ndërkohë që ai përgatitet të kandidojë sërish për presidencën amerikane vitin e ardhshëm.

Trump postoi në kompaninë e tij të mediave sociale, Truth Social, si përgjigje të mërkurën, duke thënë se Facebook kishte “humbur miliarda” pasi ia kishte ndaluar qasjen “presidentin tuaj të preferuar, mua”.

“Një gjë e tillë nuk duhet t’i ndodhë më kurrë një presidenti në detyrë, apo kujtdo tjetër që nuk e meriton ndëshkimin!” – ka shkruar Trump./BBC