Boyko Borisov - Foto: Stephanie Lecocq/EPA

Borisov: Gabim historik nëse Shkupi dhe Tirana nuk marrin datë

Kryeministri bullgar Bojko Borisov deklaroi se do të ishte gabim historik nëse kësaj here Këshilli Europian nuk ndan datë për nisje bisedimesh me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Këto fjalë Borisov i tha para nisjes së samitit të liderëve të shteteve anëtare të BE-së.

Ndonëse Bullgaria ka konteste me Maqedoninë e Veriut, Borisov tha se Sofja nuk mund të bëhet pengesë e Shkupit për të marrë datë për nisje të negociatave, ndërsa shtoi se kontestet mes shteteve mund të zgjidhen pasi Shkupi të ketë marrë datë.

“Ne jemi shumë të qartë për këtë çështje. Është shumë e rëndësishme për Ballkanin, për rajonin dhe shumë e rëndësishme për marrëdhëniet ndërfqinjësore që si Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë t’u jepet perspektivë për Bashkimin Europian. Në të kundërtën, gjithnjë kam folur se çfarë do të ndodhte në rajon, do të ishte gabim historik nëse nuk u jepet datë për nisje te negociatave. Ne kemi shumë pretendime ndaj tyre, sidomos Maqedonisë së Veriut por nuk do të mund t’i pengonim të fillojnë negociatat dhe më pas t’i zgjidhim kontestet, gjë për të cilën kemi folur tashmë disa herë në Sofje”, deklaroi kryeministri bullgar Bojko Borisov./21Media