FOTOGRAFI: TOP CHANNEL

Arrestohet ish-kryeministri i Bullgarisë, dyshohet se abuzoi me fondet e BE-së

Ish-kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, u arrestua këtë të enjte gjatë një operacioni policor të lidhur me hetimet e zyrës së prokurorit të BE-së, sipas Ministrisë së Brendshme bullgare.

Në njoftimin e ministrisë thuhet se bashkë me Borisovin u arrestuan edhe ish-ministri i Financave, Vladislav Goranov, ish-shefi i komisionit parlamentar buxhetor, Menda Stojanova dhe këshilltarja e Borisovit për media, Sevdalina Arnaudov.

“Një operacion në shkallë të gjerë është duke u zhvilluar në Bullgari në lidhje me 120 raste të Prokurorisë Evropiane.  Bastisje dhe sekuestrime janë kryer në shumë adresa.  Bojko Borisov, Vladislav Goranov, Menda Stoyanova dhe Sevdalina Arnaudova aktualisht janë të ndaluar”, thuhet në njoftim.

Borisov, 62 vjeç, është aktualisht kryetar i partisë opozitare të qendrës së djathtë GERB.

Ministria nuk dha detaje, por televizioni publik BNT tha se rastet kishin të bënin me “keqpërdorimin e ndihmave të BE-së”.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha kryeministri i ri i Bullgarisë, Kiril Petkov në një postim në rrjetet sociale.

Partia e sapoformuar kundër korrupsionit e Petkov, fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari vitin e kaluar, me platformën “zero tolerancë për korrupsionin”.

Operacioni vjen pas një vizite në Sofje më 16-17 mars nga kryeprokurorja evropiane, Laura Koevesi.

“Tani është koha që autoritetet përkatëse bullgare të bashkohen me ne, duke përfshirë rastet veçanërisht të ndjeshme”, tha Koevesi më parë.

Borisov është akuzuar për korrupsion disa herë gjatë viteve, por ka mohuar akuzat./TCH