Bogujevci: Më 12 qershor 1999 isha e shtrirë në spital

Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit, përfaqësuesja e grupit parlamentar, Saranda Bogujevci ka ndarë historinë e saj personale të luftës.

Po këtë ditë më 1999, Bogujevci ka qenë e shtrirë në QKUK.

“Është ditë goxha emocionuese për mua, kam qenë e shtrirë në spitalin e Prishtinës po këtë ditë më 1999, isha së bashku me fëmijët e axhës, që të gjithë të plagosur rëndë. 2-3 ditë para 12 qershorit 1999 spitali u pat zbraz nga motrat dhe mjekët, pat mbet spitali me një staf shumë të vogël, në atë moment patëm marr lajmin që patën hy në Kosovë forcat e NATO-s. Më kujtohet që një natë më parë dëgjoheshin të shtëna, por e ndjeva një qetësi shpirtërore. Po atë ditë i pata mbushur 14 vjet. Sot është një ditë krenarie kur feston ditëlindjen dhe ditën e çlirimit me popullin tënd”- ka rrëfyer Bogujevci.

Ajo tutje falënderoi të gjithë miqtë e Kosovës të cilët sipas saj përkrahën Kosovën çdo ditë jo vetëm më 12 qershor.

“Para 25 vjetëve isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer se s`e kisha gjysmën e familjes. Por sot ndihem e privilegjuar dhe krenare që mund t`i shërbejë popullit tonë. Çdo 12 qershor e shënoj bashkë me ju fitoren e humanitetit përballë mizorisë, fitoren e të drejtës përballë padrejtësisë së gjatë, fitoren e njerëzve të mirë e të guximshëm të Kosovës përballë aparatit gjenocidial dhe fitoren e popujve të juaj që ishit pranë nesh për të na ndihmuar e çliruar në këtë ditë. Sot vendosa që në emër të grupit parlamentar të ndaj pak histori personale”- shtoi ajo tutje.

Në këtë seancë solemne marën pjesë diplomatë nga shtete të ndryshme.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Kosova, një çerek shekulli e lirë