Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Petkoviq tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën

Në takimin e mbajtur më 19.03.2024 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përveç çështjes së dinarit serb është diskutuar edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se “në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë në tërësi”.

Sipas tij, kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën.

“Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë. Iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme. Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kishin nënshkruar, por ai tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet”- ka thënë Bislimi.

Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën, më 19.03.2024, në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi ka njoftuar se bisedimet e sotme në Bruksel përfunduan me zotimet e palëve që deri më 22.03.2024 t’i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit.

Për javën e ardhshme ai paralajmëroi një takim tjetër për të parë nëse dy propozimet e tyre mund të shndërrohen në një të vetëm.

“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë një hapësirë që këto dy propozime të konvergjojnë drejt një propozimi të vetëm që kishte me qenë i pranueshëm për palën kosovare”- u shpreh ai pas takimeve.

Bislimi për takimin e Brukselit: U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin për çështjen e dinarit

www.kallxo.com