Foto: Miroslav Lajçak, X

Bislimi dhe Lajçak takohen në Bruksel, flasin për takimin e radhës të nivelit të lartë

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi janë takuar sot në Bruksel.

Ata kanë biseduar për përgatitjet për takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet javën e ardhshme.

Lajçak ka thënë se fokusi i takimit ishte avancimi për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

“Faleminderit Besnik Bislimi për takimin sot në Bruksel. Ne patëm një diskutim të gjatë dhe thelbësor në përgatitjen e takimit të Nivelit të Lartë, javën e ardhshme. Fokusi ynë kryesor ishte se si të avancojmë normalizimin e marrëdhënieve”- ka shkruar Lajçak në rrjetin social X.

Takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet më 14 shtator.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.