BIRN ofron grante për të eksploruar arkivat e krimeve të luftës

BIRN po ofron grante për gazetarë, artistë, historianë dhe aktivistë për të krijuar projekte të bazuara në arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe gjykatave vendase në vendet e ish-Jugosllavisë që kanë mbajtur gjyqe për krime lufte.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative ka hapur një thirrje për propozime për projekte të vogla nga gazetarë, artistë, historianë dhe aktivistë të shoqërisë civile që mbulojnë tema që lidhen me arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe gjykatat vendase në vendet e ish-Jugosllavisë që janë marrë me raste krimesh lufte.

Në vitin 2019, BIRN shpërbleu 20 gazetarë, artistë dhe historianë me grante prej 2,000 eurosh secili për të realizuar projekte të vogla bazuar në arkivat e gjykatave vendase dhe ndërkombëtare që kanë trajtuar raste krimesh lufte.

Ky ishte një tregues se ekziston një interes i konsiderueshëm nga ana e profesionistëve të ndryshëm nga fusha të ndryshme për të hulumtuar arkivat dhe për të përmirësuar përpjekjet për memorializim në Ballkan.

BIRN tani po e ofron sërish këtë mundësi, por gjithashtu dëshiron të rrisë bashkëpunimin me artistë, studiues, kineast, historianë dhe aktivistë në mënyrë që të zhvillojë një rrjet ekspertësh në fusha të ndryshme që do të ofrojë një qasje tërësore ndaj procesit të memorializimit.

“Numri i gjyqeve të krimeve të luftës po bie ndjeshëm dhe arkivat mbeten një burim i rëndësishëm për ndërtimin e ardhshëm të narrativave të bazuara në fakte rreth historisë së luftës në Ballkan”, shpjegoi bashkëpunëtorja e programit Nejra Mulaomerovic.

“Aktualisht, arkivat e gjykatave janë shpesh të paarritshme për publikun e gjerë dhe potenciali i tyre i madh mbetet i pashfrytëzuar. Ne po kërkojmë projekte që do të përdorin në mënyrë krijuese arkivat e gjykatave për të promovuar të vërtetën, drejtësinë dhe llogaridhënien në Ballkan”, tha Mulaomerovic.

Gazetarët, artistët, historianët dhe aktivistët e shoqërisë civile që duan të gërmojnë më thellë në arkivat e GJPNJ-së në Hagë dhe gjykatat kombëtare nga Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë të drejtë të aplikojnë.

Ata po ftohen të eksplorojnë çështje të tilla si drejtësia penale, dëshmitë e viktimave, personat e zhdukur, dëmshpërblimet, lustracioni, përgjegjësia si dhe çështje të tjera që lidhen me drejtësinë tranzicionale dhe ballafaqimin me të kaluarën.

Informacione të mëtejshme rreth procesit të aplikimit mund të gjenden këtu.

Thirrja është pjesë e projektit Përmirësimi i Llogaridhënies dhe Proceseve të Memorializimit në Ballkan, financuar nga Mantra Regional Rule of Law Programme./balkaninsight.com/