Karl Bildt, ish- ministër i jashtëm i Suedisë

Bildt: Serbia me qëndrimin për konfliktin Rusi-Ukrainë e diskualifikoi veten nga anëtarësimi në BE

Bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Carl Bildt, ka thënë se me pozicionimin e saj në konfliktin Rusi- Ukrainë, Serbia ka diskualifikuar veten nga procesi i anëtarësimit në BE.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.

“Me këtë qëndrim Serbia de fakto diskualifikon veten nga procesi i anëtarësimit në BE. Nuk ka hapësirë për anëtarë të rinj të BE-së që nuk ndajnë vlerat tona themelore dhe interesat tona”, ka shkruar Bildt në Twitter.

Para dy ditësh, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha qëndrimin e Serbisë për situatën e krijuar në Ukrainë.

Vuçiq ka thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.

Edhe ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e mban anën e Rusisë.

Kosnett ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian dhe ShBA ta kenë parasysh këtë qëndrim të tij.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Kosnett: Vuçiq zgjodhi Putinin, BE dhe ShBA ta kenë parasysh këtë