Bilall Kasami: Zaev nuk u koordinua me partnerët e koalicionit për dorëheqjen

Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka dhënë detaje në “Kallxo Përnime” se kryeministri i dorëhequr, Zoran Zaev, nuk është koordinuar me partnerët e koalicionit për dorëheqjen e tij. Partia e Kasamit është pjesë e këtij koalicioni.

“Zaev këtë dorëheqje e ka dhënë pa konsultim me partnerët e koalicionit. Sot ka pasur një konsultim me partitë politike, por pres informata nga ky takim sepse s’kam mundur të marrë pjesë në këtë takim”, tha ai.

Ai shtoi se ka pasur një tentativë për koalicion parazgjedhor në zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut, por kjo kishte dështuar.

E sipas Kasamit, kjo ishte një nga arsyet pse Zaev nuk mori shumë komuna.

“Ne kishim tentativë edhe në zgjedhjet lokale që të kishim një marrëveshje dhe të shkojmë të koordinuar në këto zgjedhje dhe rezultati do të ishte më i mirë, si presion i Bashkimit Demokratik për INtegrim të cilët nuk donin të kemi një marrëveshje dhe të kemi koordinim  në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, erdhi ky rezultat”, thotë Kasami.

Sipas tij, këto rezultate erdhën dhe BDI dhe LSDM ka humbur shumicën e bastioneve të tyre.

“Përçarja brenda LSDM por edhe si rezultat i moskoordinimit me partnerët e koalicionit janë disa nga arsyet e humbjes”, tha më tej Kasami.

Dje, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut pas disfatës së thellë të partisë së tij, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën (31 tetor) në këtë vend.

Kryetari i Lidhjes-Social Demokrate, Zoran Zaev, në postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për herë të parë u zgjodh më 31 maj të vitit 2017 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në vitin 2016.