Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Tetovës, Bilall Kasami/ Foto: ZKM
Kryetari i Tetovës: Fronti opozitar i bashkuar ka mbështetje nga Kurti, qeveria ka frikë nga zgjedhjet e ardhshme
Kryetari i Komunës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut, Bilall Kasami ka thënë se Qeveria nuk ia doli ta fsheh apo kontrollojë frikën nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, “sidomos kur në pah doli fronti opozitar i bashkuar dhe me një përkrahje nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti”.
Kasami publikoi këtë deklaratë në Facebook, pas reagimeve pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti para disa ditësh në këtë komunë.
“E kuptojmë shqetësimin e presidentit dhe Qeverisë, të cilës për çudi me përkrahje e reagime i doli krah edhe Beogradi dhe e dimë se retorika e këtillë politike, nuk ka të bëjë aspak me vizitën e Albin Kurtit, por ka të bëjë me shqetësimin se opozita shqiptare në RMV po bashkohet dhe kësisoj ia numëron ditët kësaj qeverie të krimit dhe korrupsionit. Ardhja e kryeministrit Kurti sa ishte respekt dhe nder për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, po aq ishte edhe respekt për shtetin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin është nënshkruar memorandumi i projektit të përbashkët, rrugës Tetovë-Prizren”, shkroi Kasami.
Presidenti Stevo Pendarovski kërkoi që organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair të ndëshkohen me ligj për shkelje të dispozitave ligjore lidhur me përdorimin e flamurit dhe himnit të shtetit dhe flamujve dhe simboleve të bashkësive, me injorim të plotë të simboleve të shtetit.
U bëri thirrje organeve kompetente që në afat më të shkurtër të mundur t’i përfundojnë procedurat e përcaktuara.
“Shfaqja e flamujve të cilët nuk janë shtetëror është në kundërsthim me protokollet dhe ligjet për organizimin e ngjarjeve në prezencë të shtetarëve të vendeve të huaja. Lloji i ikonografisë i vërejtur në ngjarjen në Tetovë në prezencën e përfaqësuesit të lartë të një shteti të huaj është joadekuate dhe e papranueshme në një vend anëtar të OKB-së dhe vend anëtar të NATO-s dhe në atë drejtim ju informojmë se, SPB Tetovë ndërmerr masa për identifikimin e autorëve dhe zbardhjes së plotë të rastit”, reaguan nga kabineti i kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
Kjo pasi në sheshin në Tetovë, me rastin e vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryetari i komunës Bilall Kasami organizoi manifestim të madh, në të cilin u valëvit një flamur me hartën e Shqipërisë së madhe.
Në tubim, u valëvitën edhe një numër i madh i flamujve shqiptarë.
Në lidhje me riemërimin e rrugës ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili po ashtu dënoi vendimin e ndërrimit të emrit të kësaj rruge.
“Një pyetje publike për udhëheqësinë dhe ish bashkëpartiake e mi: A për këtë bashkëjetesë dhe respetim të përbashkët kemi luftuar nën parullën Një shoqëri për të gjithë!? Si ndjeheni sot kur kujtimet e gjyshërve dhe gjysheve tona të rënë, partizantë, antifashistë nga të gjithë popujt e Maqedonisë në atë kohë, fshihen dhe ndërrohen me emra të luftëtarëve për kauza nacionalishte. Është dita e dytë që heshtni ndërsa heshtja në këtë rast është më shumë se turp”, ka shkruar Dimitrievski në Facebook.
Me prezencën edhe të kryemistrit të Kosovës, Albin Kurti, u bë promovimi i riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit.
Brigada e dytë maqedonase me përbërje multietnike ka qenë një ndër forcat partizane në Maqedoni e cila luftoi me sukses me okupatorin fashist bullgar, si dhe forcat fashiste në territorin e Jugosllavisë. Adem Demaçi, i cili vdiq në në vitin 2018, ka qenë disident, gazetar, shkrimtar dhe politikan, i cili luftoi për pavarësinë e Kosovës, ndërsa në rrugën e riemëruar në Çair ka jetuar për kohë të shkurtër./ Portalb