
Bekim Brestovci, Foto: KALLXO.com
Bekim Brestovci caktohet edhe Drejtor i Inspekcionit në Prishtinë
Drejtorit të Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Brestovci i është shtuar edhe një përgjegjësi e re.
Brestovci tash është edhe Drejtor i Inspekcionit. Sot gjatë seancës së Kuvendit Komunal është parë tek emri i tij shtimi i kësaj pozite.
Kjo pozitë iu trashëgua pasi ish-drejtori Florian Dushi mori postin e Nënkryetarit, në vend të Alban Zogajt i cili u zgjodh Deputet i LDK-së.
Nga 06.02.2024, Brestovci është vendos në krye të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Ai tri vjet më parë ishte emëruar Këshilltar për investime kapitale, investimet e huaja, zhvillimin e turizmit në zonat rurale, si dhe avansimin e shërbimeve publike në Kabinetin e kryetarit Rama. Në vitin 2019, Brestovci iu ishte bashkuar partisë NISMA Socialdemokrate. Në këtë parti ai kishte qenë Kryetar dege dhe anëtar i Kryesisë qendrore të kësaj partie.
Ai kishte qenë dy herë pjesë e listës garuese për Deputet të Kuvendit të Kosovës, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme.
Në vitin 2020, Brestovci me propozim të NISMA-s kishte shërbyer për 10 muaj edhe si Zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në kohën kur kjo Ministri drejtohej nga Meliza Haradinaj-Stublla (AAK), gjatë Qeverisë Hoti.
Madje, në vitin 2021 ishte Kandidat i NISMA-s për Kryetar të Komunës së Prishtinës.
Në janar 2022, ai njoftoi dorëheqjen nga të gjitha funksionet brenda NISMA Socialdemokrate.