Foto: Miroslav Lajçak/Facebook

BE tregon detajet e takimit Kurti - Vuçiq më 14 shtator në Bruksel

Takimi i radhës i nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 14 shtator në Bruksel.

Bashkimi Evropian përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur detajet se si do të zhvillohet takimi.

Sipas njoftimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell së bashku me emisarin special për dialog, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët që nga ora 09:00, të cilët do pasohen me një takim të përbashkët trepalësh.

“Përfaqësuesi i Lartë, me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 09:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh. Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë bëhet e ditur se Borrell do të ketë një deklaratë për mediat.

Takimi i 14 shtatorit, është i pari që mund të realizohet mes Kurtit dhe Vuçiqit prej rritjes së tensioneve në veri, qysh në fund të majit.

Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit u zhvillua më 2 maj të këtij viti.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut po hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.

Për shkak të tensioneve në veri, NATO-ja ka rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet, përderisa palës kosovare i është kërkuar që të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërkaq asaj serbe që të sigurojnë që serbët të marrin pjesë në votime.