Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

BE jep detaje për takimin e nesërm mes Kurtit dhe Vuçiqit

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të hënën do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas njoftimit të BE-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga emisari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak.

Fillimisht, Borrell do të pret Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8 e mëngjesit në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh.

Fokusi i takimit sipas BE-së, do të jetë gjetja e një rrugëdalje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni në terren.

“Përfaqësuesi i Lartë do të nisë me takime të veçanta me secilin lider duke filluar nga ora 08:00, e më pas do të ketë një takim të përbashkët. Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugedaljeje nga kriza aktuale dhe shmangia e çdo përshkallëzimi dhe tensioni të mëtejshëm në terren, me theks në targat dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”- thuhet në njoftimin e BE-së.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës së sotme tha se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor për televizionin Prva.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës më herët njoftoi se gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë më 22 nëntor dhe jo më 21 nëntor, ashtu siç parashihej në vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.

Policia e Kosovës: Gjobitja për targat ilegale fillon më 22 nëntor