Rruga "Mehmet Gradica" në Prishtinë

Banorët ankohen për rrugën e pashtruar në lagjen e Prishtinës

Një rrugë e lënë pas dore në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë i ka bërë banorët që të luten dhe të ankohen.

Rruga “Mehmet Gradica” ka mbetur e pashtruar dhe e pandriçuar tash e shumë vjet ndërsa banorët e bizneset që ushtrojnë veprimtarinë në të po presin edhe një dimër të vështirë për të qarkulluar.

Banorët thonë se janë ankuar disa herë tek autoritetet komunale për rregullimin e kësaj rruge.

“Ka pasur raste kur banorët kanë paguar nga xhepi i tyre për mbulimin e gropave me beton edhe pse jemi pagues të rregullt të obligimeve në komunë”, tha banori Flamur Halili, i cili jeton në një nga blloqet që gjenden në këtë rrugë.

Rruga “Mehmet Gradica” në Prishtinë

Gropat e mëdha të hapura në këtë rrugë sidomos gjatë të reshurave dhe gjatë dimrit bëhen të rrezikshme edhe për veturat e banorëve.

Banorët shprehin frikën se reshjet e stinëve mund ta shembin dheun në këtë rrugë dhe, në këtë mënyrë, t’u rrezikohen edhe garazhet e banorëve të cilët i kanë blerë ato.

Gjendjen e kanë vështirësuar edhe kamionët që kanë qarkulluar në këtë rrugë gjatë mbindërtimeve që janë bërë që nga vitet e para të pasluftës.

Një pronar i një biznesi që funksionon në këtë rrugë, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri, thotë se stina e dimrit është më e vështira për ta.

Rruga “Mehmet Gradica” në Prishtinë

“Kemi nevojë gjithsesi që të rregullohet rruga sepse kemi shumë probleme sidomos gjatë dimrit ku non-stop bëhet akull dhe bëhen aksidente të vogla”, thotë Drilon Tejeci, pronar i furrës “Dashamiri”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në komunën e Prishtinës rreth këtij problemi por ata nuk janë përgjigjur deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Rruga “Mehmet Gradica” në Prishtinë

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.