Avokati Kadri Veselit thotë se Nazim Bllaca ka vdekur, vëllai i tij e mohon
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emerson gjatë seancën në Hagë ka deklaruar se dëshmitari Nazim Bllaca ka vdekur, mirëpo në një prononcim për Klan Kosova, vëllai i Nazim Bllacës, Liman Bllaca e ka mohuar se Nazim Bllaca ka vdekur, duke thënë se ai është gjallë.
“Ka pasur një dëshmitar që ka pasur lidhje me Serbinë, Nazim Bllaca, e i cili ka vdekur”, ka thënë sot gjatë ditës, Be Emmerson, avokat i Kadri Veseli gjatë seancës së mbajtur në tribunalin e Hagës.
Sipas Liman Bllacës, Nazim Bllaca është shëndosh e mirë me shëndet dhe është në mbrojtje ndërkombëtare.
Në Kosovë, Nazim Bllaca kishte statusin e dëshmitarit të prokurorisë, është vetëshpallur agjent i ShIK-ut dhe në vitin 2009 kishte dalë në publik për të rrëfyer pretendimet e tij për shumë krime të pasluftës.
Si pasojë e dëshmive që Nazim Bllaca ka dhënë, deri më tani janë mbajtur tri gjykime penale.
Në gjykimin e fundit ai vetë ka qenë i akuzuar dhe është dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Shënim: KALLXO.com ka raportuar fillimisht deklaratën e avokatit të Kadri Veselit, Ben EmerSon të thënë gjatë seancës së datës 20.05.2022, në Tribunalin e Hagës, në artikullin me titullin – “Avokati Kadri Veselit: Nazim Bllaca ka vdekur”. Artikulli është përditësuar dhe është shtuar deklarata e vëllait të tij Liman Bllaca dhënë për portalin Klankosova.tv, ku është mohuar vdekja e Nazim Bllacës duke thënë se ai është gjallë!