Avokati Besnik Berisha

Avokati Besnik Berisha: Enver Sekiraqa është në spital jashtë Kosovës

Avokati Besnik Berisha thotë se Enver Sekiraqa gjendet në një spital jashtë Kosovës duke u trajtuar për shkak të problemeve shëndetësore.

Sipas avokatit, për këtë është në dijeni edhe shteti.

Sekiraqa, i dënuar më 03.05.2024 nga shkalla e parë me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës, ishte i paarritshëm për Policinë e Kosovës.

Në shpallje të aktgjykimit, gjyqtari i çështjes, Agim Kuqi, kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa.

“Enver Sekiraqa është në spital duke u trajtuar për probleme shëndetësore serioze, të cilat kanë qenë të evidentuara nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe për të cilat është trajtuar dhe kërkuar leje dalje e shoqërim nga Polica për intervenimet e nevojshme që i ka pasë” – tha Berisha në emisionin “Five” në RTV Dukagjini. 

Pasi ishte ushtruar ankesë nga ana e Prokurorisë Speciale për vendimin të lirimit në arrest shtëpiak për Enver Sekiraqën, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që të aprovojë këtë ankesë dhe të njëjtin ta rikthente në masën e paraburgimit, aktvendim ky për të cilin njoftimi u bë më 17.05.2024.

Por, Berisha thotë se mbrojtja nuk ka qenë në dijeni për ankesën e Prokurorisë, të cilën ai e quan “antikushtetuese”.

“Trupi gjykues ka qenë në dijeni, kanë leju nevojën për trajtim të tillë. Njëkohësisht, akoma pa u dorëzu as ankesa e Prokurorisë, sepse ankesa te mbrojtja është përcjellë te kolegia ime e respektuar, Kosovare Kelmendi, një ditë para vendimmarrjes. Kështu që s’ka qenë në dijeni as mbrojtja, as Enver Sekiraqa, që ka një ankesë të Prokurorisë, që është tërësisht antikushtetuese” – shtoi Berisha.

Ai nuk pranoi të zbulojë ku ndodhet i pandehuri për, siç tha ai, “sigurinë personale të Sekiraqës”.

Por, sipas avokatit, Policia ka kuptuar se ai është në spital, kur është paraqitur për të pyetur për vendndodhjen e tij.

“Shteti e di sepse nuk ka dalë as duke fluturu, ka kalu nëpër pikat kufitare si qytetar. Kujtdo që i intereson prej shtetit mund t’ia tregojmë ditën kur ta kryen trajtimin, po i njëjti shtet do ta ketë Enverin përpara” – tha më tej avokati Berisha.

Por, Berisha tha më tej se Sekiraqa nuk ka qenë i detyruar që të njoftojë shtetin për lëvizjen e tij për trajtim shëndetësor.

Largimi i tij jashtë vendit, siç thotë avokati, ka ndodhur në kohën kur është shpallur aktgjykimi dhe Sekiraqa “është lënë i lirë të lëvizë si çdo qytetar”,

Gjyqtari Agim Kuqi u suspendua sot më 21.05.2024 nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për shkak të heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar në lidhje me rastin e Sekiraqës duke thënë se “arratisja e Enver Sekiraqës është dështim i sistemit tonë gjyqësor që vazhdon të arratiset vetë nga drejtësia”.

Këtë deklaratë të kryeministrit avokati Berisha e quajti “shfaqje mediatike”.

“Show-i mediatik që bëhet në fushatë zgjedhore dhe synohet që të bëhet gjyqtari në Facebook e në foltore të Qeverisë, nuk është hera e parë e nuk i shërben drejtësisë” – tha ai.

Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës i nisur në vitin 2014 ka rezultuar me dy dënime të deritanishme. Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vjet burgim, kurse me 30 vjet burgim në vitin 2019.

Triumf Riza ishte vrarë më 30.08.2007.

Sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar KËTU – LINK

Sekiraqa tash e katër ditë i paarritshëm – Detaje si erdhi deri tek vendimi për kthim në paraburgim