Auditori: Komuna e Gjakovës punësoi 74 persona me kontratë mbi vepër, rrezikoi punësimin e personave meritorë

Komuna e Gjakovës ka angazhuar 74 punëtorë me kontratë për Marrëveshje për Shërbime të Veçanta.

Sipas raportit të Auditorit, 22 prej tyre ishin angazhuar për mirëmbajtjen dhe sigurimin e objekteve dhe 52 për punë të ndryshme.

Auditori ka gjetur së komuna nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë formale (të thjeshtëzuar) të rekrutimit edhe pse kishte 40 pozita të përhershme të lira për rekrutim.

Angazhimi i këtyre punëtorëve është bërë për shkak të vonesave në procedurat e tenderimit për mirëmbajtjen e objekteve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën për Punë Sociale dhe nevojës së komunës për shërbime të ndryshme.

“Pamundësia për të rekrutuar pozitat e përhershme të punës ka ndodhur si rezultat i kujdesit jo të duhur dhe pezullimit të ligjit për zyrtar publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në shtator 2019, komuna nuk ka mundur të procedoj me konkurse të rregullta për pozita të përhershme nga shtatori i vitit 2019”, thuhet në raport.

Sipas Ligjit për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149, angazhimet e tilla lejohen të bëhen vetëm për punë specifike dhe në kushte të veçanta e të paparashikuara.

Sipas Auditorit, angazhimi i stafit për shërbime të veçanta pa procedura të thjeshtëzuara rrezikon punësimin e personave jo kompetent në mungesë të konkurrueshmërisë.

Auditori më tutje ka rekomanduar Komunën e Gjakovës të ndërmerr masa në rekrutimin e pozitave të përhershme dhe tenderimin me kohë për shërbimet e mirëmbajtjes në QKMF dhe QPS. Angazhimet me MSHV të aplikohen vetëm për punë specifike dhe kushte të paparashikuara, gjithmonë duke i zbatuar kërkesat ligjore.

Gjithashtu ky rekomandim ka qenë edhe në raportin e Auditimit të vitit të kaluar, po që nuk ka gjetur zbatim.

“Kryetari duhet të sigurojë aplikimin e procedurave të thjeshtuara të rekrutimit për punët që konsiderohen të realizohen përmes MSHV-ve. Nevojat për pozitat të rregullta të punës të adresohen në MF gjatë planifikimit buxhetor, e jo të aplikohen MSHV. Kjo formë e angazhimit të kontraktuesve të aplikohet vetëm në rastet urgjente, dhe kur kërkesat të jenë të arsyetuara nga njësitë kërkuese. Pagesat për shërbimet e tilla nuk duhet të tejkalojnë vlerën e kontraktuar”, thuhet në raport.