Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Associated Press: BE dhe SHBA të shqetësuara për ndalimin e dinarit serb nga ana e autoriteteve kosovare

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë për veprimet e fundit të Kosovës, përfshirë ndalimin e monedhës serbe dhe bastisjet e policisë ndaj organizatave që punojnë me minoritetin serb në pjesën veriore të vendit, shkruan agjencia e lajmeve Asociated Press, AP. 

Policia e Kosovës, sipas AP, ka kryer kontrolle në institucionet e administruara nga Serbia dhe një organizatë joqeveritare serbe, duke sekuestruar dokumente dhe kompjuterë që besohet se i shkelin ligjet e Kosovës. 

Disa dokumente kishin të bënin me qeverinë serbe, ndërsa të tjerat iu referuan strukturave ilegale paralele të ngritura nga serbët etnikë, struktura këto të cilat nuk njihen nga institucionet kosovare.

Kosova, edhe pse nuk është pjesë e BE-së, kryesisht e përdor euron, mirëpo pjesë të veriut të Kosovës, të banuara kryesisht nga serbë etnikë, ende përdorin dinarin, shpesh duke u mbështetur tek Serbia për mbështetje financiare. 

Sipas Associated Press, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë e ka shprehur shqetësimin për përpjekjet e policisë për sekuestrimin e automjeteve që transportonin dinarë serb për pagesa të përfitimeve sociale. Mbyllja e këtyre zyrave pritet të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të komunitetit serb të Kosovës.

Që nga 1 shkurti, Kosova i ka mandatuar zonat e dominuara nga serbët etnikë për ta adoptuar euron dhe e ka ndërprerë përdorimin e dinarit serb. 

Associated Press shton tutje se BE-ja i kërkoi Kosovës t’i shmangë veprimet e njëanshme, duke theksuar nevojën për dialog të lehtësuar nga BE-ja ndërkohë që ambasadori i Shteteve të Bashkuara ka deklaruar se këto veprime i përshkallëzojnë tensionet etnike, duke e kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të avokuar në mënyrë efektive për Kosovën ndërkombëtarisht.

Pavarësisht garancive të Kosovës se rregullat e reja nuk do të ndikojnë negativisht në qytetarët, BE dhe SHBA po u bëjnë thirrje të dy vendeve t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura nga udhëheqësit e tyre në shkurt dhe mars të vitit të kaluar. 

Bisedimet e normalizimit të ndërmjetësuara nga BE-ja janë përballur me sfida, veçanërisht pas një shkëmbimi zjarri të shtatorit midis serbëve të armatosur e të maskuar dhe policisë së Kosovës që rezultoi në katër të vdekur, duke përshkallëzuar tensionet edhe më tej.

Si Serbia ashtu edhe Kosova e kanë shprehur dëshirën e tyre për t’u bashkuar me BE, mirëpo shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrell, ka paralajmëruar se mosgatishmëria e tyre për kompromis po i rrezikon shanset e tyre./Associated Press

Përgatiti: Nuhi Shala