Prodhime bujqësore të grave fermere të ekspozuara në panairin në Ferizaj - Foto: KALLXO.com

Asociacioni i Komunave kërkon nga Ministria e Bujqësisë rishikim dhe vlerësim të listave të fermerëve

Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar me një kërkesë Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Besian Mustafa për rishikim të kritereve dhe rivlerësim i listave të fermerëve që janë në listat refuzuese për shkak mosnjohjes nga ana e tyre të disa procedurave ankimore për subvencionime.

Në letrën e AKK-së, nënshkruar nga Zëvendëskryetari Xhafer Gashi thuhet se si rezultat i gjendjes së krijuar me COVID 19 dhe mbylljes së tregjeve, fermerët kosovar kanë pësuar mjaft shumë dëme në aspektin financiar. Si pasojë e kësaj pandemie, në kërkesë thuhet se produktet e tyr bujqësore nuk kanë mundur të plasohen në tregjet e gjelbërta, të eksportohen jashtë vendit, të i furnizojnë restaurantet, hotelet apo shfrytëzuesit e tjerë të produkteve bujqësore.

“Pasojat nga vështirësitë e krijuara nga situata me COVID 19 kanë ndikuar në investimet e bëra nga fermerët, e të cilat investime nuk kanë rezultuar në fitim për ta. Fermerët e komunave të Kosovës ashtu siç është paraparë me Udhëzimin Administrativ 03/2018 kanë aplikuar për pagesa direkte – subvencione të cilat si procedurë kryhen në komuna, respektivisht në drejtoritë përkatëse komunale”, thuhet në kërkesë.

Në kërkese është thënë se zyrtarët komunalë nga evidencat dhe vizitat e tyre në teren këtë vit kanë vërejtur një rënie të numrit të aplikacioneve në komuna.

“Komunat gjithashtu kanë identifikuar që fermerët lider dhe një numër i tyre edhe pse fermer më të mirë, për arsye të ndryshme tani gjenden në listën e zezë duke u bazuar në raportet e inspektorëve të MBPZHR-së. Fermerët e mirë janë profesionist në punën e tyre, por nuk i njohin mjaftueshëm procedurat burokratike të shfrytëzimit të së drejtës për ankesë dhe rrjedhimisht ndodhen në listën e zezë të ministrisë. Si rrjedhojë, fermerët janë përjashtuar më shumë se sa për vitin aplikues”, thuhet në kërkesë.

AKK ka kërkuar që të bëhët një rishikim i kritereve dhe rivlerësim i këtyre listave në mënyrë që të i’u ndihmohet fermerëve që të kalojnë vështirësitë e krijuar për veprimtarinë e tyre.