AShAK kujton albanologun gjerman Wilfried Fiedler
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje përkujtimore për albanologun gjerman Wilfried Fiedler, i cili vdiq disa ditë më parë
Akademikët kosovarë kanë mbajtur një minutë heshtje në shenjë nderimi për albanologu gjerman, Fiedler, i cili vdiq në Berlin në Gjermani në moshën 86 vjeçare.
Nënkryetari i AShAK-ut, Jusuf Bajrajtari ka thënë me këtë rast se me të drejtë albanologu Wilfried Fiedler konsiderohet ndër albanologët më të mëdhenj të kohës sonë.
“Kontributet e tij për shqipen dhe shkencën e albanologjisë janë barazi me ato të një institucioni shkencor. Vepra e tij vlerësohet për arritjet kapitale në këto fusha duke dhënë shumë për shkencat albanologjike”, ka thënë akademik Bajraktari.
Ndërsa akademik Rexhep Ismajli, i cili foli për jetën dhe kontributin shkencor të Fiedlerit ndër të tjerash ka thënë se albanologu gjerman shquhej për arritjet në shkencën albanologjike duke sjellë studime për shqipen në shumë degë.
Përveç studimeve për shqipen, ka pohuar Ismajli, Fiedler shquhet edhe për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhën gjermane.
“Tërë veprimtarinë albanologjike të Fiedletit e karakterizojnë dy aspekte. Në një anë është hulumtimi i çështjeve të veçanta, ndërsa paralelisht me këtë vejnë pjesa për paraqitje sintetizuese me sa më shumë detaje brenda fushave të tëra të hulumtimit”, ka thënë Ismajli
Albanologu Wilfried Fiedleri ka vdekur javën e kaluar Berlin në Gjermanisë. Nga 1991 Fiedler ishte anëtar i jashtëm i AShAK-ut dhe një prej bashkëpunëtorëve më të zellshëm të kësaj akademie në fushën e albanologjisë.
Akademik Fiedler ka lindur në Oberfrohna të Gjermani në vitin 1933. Në vitet 1951-1955 ai ndoqi studimet për sllavistikë dhe për filologji të tjera të Evropës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Humboldit në Berlin.
Fiedler dha një kontribut të çmuar në fushën gjuhësisë shqiptare duke sjellë rezultate shkencore me mjaft rëndësi për gjuhësinë shqiptare.
Veçohet gramatika deskriptive për gjuhën shqipe, të cilën e shkroi në bashkëpunim me Oda Buholcin (“AlbanischeGrammatik”, Leipzig 1987). Bashkë me Buholcin dhe Gerda Uhlisch hartoi fjalorin shqip-gjermanisht, ndërsa bashkë edhe me Adrian Klosin fjalorin gjermanisht-shqip.
Lista e gjatë e studimeve nga fusha e albanologjisë dhe ballkanistikës përfshin monografitë me rëndësi për shqipe, si: “Sistemi foljor i gjuhës shqipe të Gjon Buzukut (1555)” (2004) dhe “Formimi i shumësit të gjuhës shqipe” (2010), botime të AShAK-ut. Vepra e tij për sistemin foljor të gjuhës së Buzukut, në të vërtetë, është një monografi e gjerë (mbi 800 faqe) për gjuhën e këtij autori në tërësi, me një përqendrim te sistemi foljor.
Gjithashtu, sipas AShAK-ut, Fiedler ka përkthyer dhe vepra të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, ndër to “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe novela të I. Kadaresë, poezi të M. Camajt, poezi të A. Podrimjes. Ishte profesor i jashtëm për gjuhë shqipe në Institutin për Studime për Europën Juglindore në Universitetin e Jenës “FriedrichSchiller”.