Akademik Rexhep Ismajli mban ligjëratë për dialektet e shqipes
Akademik Rexhep Ismajli ka mbajtur sot ligjëratën shkencore “Ndarja dialektore e shqipes dhe kontekstit ballkanik”, me të cilët ka hapur edhe serinë e ligjëratave shkencore që do të prezantohen gjatë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po mbahet në Prishtinë.
Gjatë prezantimit të ligjëratës së tij, akademik Ismalji ka prezantuar kërkimet e tij më të fundit në historinë dialektore të shqipes, në aspektin e ndarjes dialektore të shqipes duke e vështruar nga aspekti ballkanik.
Duke krahasuar studimet e albanologëve të ndryshme sa i përket historisë së dialekteve shqipe, krijimit dhe shtrirjes së tyre dhe kërkimeve të tij, ai ka thënë se ndarja dialektore e shqipes ka një historik të vetin, duke sjellë edhe ndryshime që kanë pësuar struktura dialektore e shqipes.
“Pra nuk kemi të bëjmë me ndarje suksesive, fillimisht në dialekte e pastaj në dialekte, grup të folmesh etj. Ky konceptim të kthen te gjendja e sotme dhe ndryshon gjithë punë”, duke prezantuar kërkimet e tij në fushën e historisë së gjuhës, përmes së cilave dëshmohet se ndarja bllok e dialekteve ka një histori të saj.
Ligjërata e Ismajlit është ndjekur me interes nga studiuesit e albanologjisë dhe në fund i është përgjigjur pyetjeve të shtruara nga pjesëmarrësit e ligjëratës.