Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Promovohet libri "Për historinë e gjuhës shqipe" i Rexhep Ismajlit
Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka promovuar sot librin, “Për historinë e gjuhës shqipe” të akademik Rexhep Ismajlit.
Libri i Ismajlit trajton çështjen e ndarjeve dialektore të gjuhës shqipe, vështrime kritike mbi studimet për shqipen në gjuhë të huaja dhe studime mbi tekstet e vjetra të gjuhës shqipe.
Bardh Rugova, anëtar korrespodent i ASHAK-ut, ka thënë gjatë fjalës së tij se libri “Për historinë e gjuhës shqipe” është një monografi e përbërë nga tre mbikapituj të historisë së gjuhës shqipe.
“Ky libër është një përmbledhje e njohurive dhe studimeve të akademik Ismajlit për gjuhën shqipe që nga viti ’70-ta. Studimi për Buzukun mund të konsiderohet më i përmbledhuri dhe më gjithëpërfshirësi i botuar deri më tani”, ka thënë Rugova.
Ndërsa, Shkumbin Munishi, anëtar korrespodent i ASHAK-ut ka pohuar me këtë rast se libri i akademik Ismajlit është i ndërtuar mbi dy aspekte tematike qendrore.
“Në pjesën e parë, autori shtjellon studime gjithëpërfshirëse dhe të thelluara mbi çështjen e ndarjes dialektore të gjuhës shqipe, në dy dialekte kryesore dhe të dimensioneve dhe periodizimeve të kësaj ndaje, duke e kundruar këtë proces në kuadër të kontekstit ballkanik”, ka thënë ndër të tjerash Munishi.
Ai ka thënë se veprat shkencore të Ismajlit, duhet të përkthehen në gjuhë të huaja.
Kurse akademik Rexhep Ismajli ka thënë se studimet për historinë e gjuhës shqipe, në radhë të parë për pjesën që nuk mund të ndiqen nëpër dokumente e shkruara e kanë preokupuar që nga viti 1970.