Arrijnë mbi gjysmë milioni doza të vaksinave në Kosovë

Kosova ka pranuar mbi gjysmë milioni vaksina të lloji Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Lajmin e konfirmuan nga UNICEF Kosova por edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

“Prej këtij kontigjenti, 503,100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53,820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

“Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të grup-moshës mbi 16 vjeçe sikurse edhe kategorisë së fëmijëve të moshës prej 12-15 vjeç me indikacione mjekësore,  që të vaksinohen.

“Në mënyrë specifike, MSh u bën thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen sikurse edhe nënave gjidhënëse gjithashtu, duke qenë që nuk ka asnjë dëshmi shkencore që vaksinimi kundër COVID-19 shkakton probleme për shtatzënësinë apo të lidhura me fertilitetin”, thuhet në fund të njoftimit