Ilustrim

Arrestohet një 54-vjeçar në Prishtinë, te i dyshuari është gjetur heroinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Prishtinë, pasi te i njëjti janë gjetur substanca narkotike.

54-vjeçari A.H, është identifikuar dhe është ndaluar në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në lagjen Ulpiana në Prishtinë.

“Pas komunikimit me të dyshuarin, i njëjti deklaron se posedon substancë të dyshuar narkotike. Hetuesit e Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë (DHTN-së) pas zhvillimit të hetimeve dhe komunikimit me të dyshuarin, i njëjti pranon se në shtëpi posedon edhe substanca psikotrope ose analoge (përzierës)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësi të provës materiale tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: 14.9 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë; 412 gramë substancë psikotrope ose analoge (përzierës); dy telefona celular; 10 euro të falsifikuara dhe 326.5 euro para kesh.

I dyshuari është shoqëruar në zyrat e antidrogës në Prishtinë për intervistë në prani të avokatit mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin, është inicuar rasti “Blerja, Posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Falsifikimi i parasë”.

“Me urdhër të Prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore-Departamentit i Krimeve të Rënda në Prishtinë i dyshuari pas intervistimit dhe kontrollimit mjekësor është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48-orë”, përfundon njoftimi i policisë.

I dyshuari është identifikuar dhe ndaluar sot rreth orës 14:00.