Arrestohet i dyshuari për vrasjen e trefishtë në Shqipëri

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasin Dan Huta i dyshuar për vrasjen e tre grave sot gjatë ditës në Shqipëri në dy vende të ndryshme.

Huta dyshohet se është autori i vrasjes së motrës së ish-bashkëjetueses së tij, të fejuarës së vëllait të ish-bashkëjetueses dhe shtetasen Etleva Kurti, 31-vjeçe. Ai dyshohet edhe për plagosjen e dy grave të tjera.

“Më datë 01.03.2023, rreth orës 12:30, në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, shtetasi Dan Hutra, rreth 40 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja  e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset, Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses)”- kishte njoftuar Policia e shtetit.

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi tha se ngjarja e rëndë e ndodhur sot do të mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg pasi i njëjti ishte emër i njohur për organet e rendit.

“Përgëzime Policisë së Shtetit për arrestimin e një krimineli të regjur, që sot mori jetë të pafajshme në Kamëz. Një ngjarje e rëndë, që mund të ishte shmangur nëse autori do të ishte në burg nga sistemi i drejtësisë në të shkuarën për skendën e tij kriminale. Edhe njëherë Policia e Shtetit dëshmoi profesionalizëm dhe bëri detyrën duke çuar prapa hekurave autorin, që nuk duhet më kurrsesi t’i shpëtojë ndëshkimit më të ashpër të drejtësisë. Ngushëllime familjeve të viktimave”- ka shkruar Minsitri.

Policia e Shtetit në një konferencë për media ka thënë se Dan Huta ka pak ditë që është dal nga burgu.

Dan Huta ka qenë i dënuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, ngjarje e ndodhur në vitin 2007, në Kukës.