Arrestimi i dy shqiptarëve për spiunazh, Dogana e Kosovës: I arrestuari është shkarkuar që 20 vite

Dogana e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me njërin nga të arrestuarit e sotëm për spiunazh, duke thënë se i arrestuari me inicialet B.Sh. është pushuar nga puna nga Dogana 20 vite më parë e që nga atëherë ky person nuk ka lidhje me këtë institucion.

Dy të arrestuarit janë shqiptarë nga Kosova.

Sipas Doganës, pushimi i tij nga puna nga ky institucion ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv.

“Dogana e Kosovës sqaron opinionin se personi i cituar me inicialet B.Sh. është pushuar nga pozita e tij në Doganën e Kosovës 20 vite më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004. Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Që nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës.” – thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës të datës 05.06.2024.

Në fund të reagimit të saj, Dogana ka përgëzuar autoritetet në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.

“Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë. Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona.” – thuhet tutje në reagim.

KALLXO.com përmes burimeve të saj mëson se edhe personi tjetër i arrestuar me inicialet M.Q. ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011, por i njëjti ishte larguar nga puna.

Dy të arrestuarit shqiptarë janë nën ndalimin e masës 48 orësh nën dyshimet për kryerje të veprës penale të spiunazhit.

Për KALLXO.com e kishte konfirmuar Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridona Kozmaqi.

“Mund të konfirmoj se në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në janë realizuar bastisje në dy lokacione, të njëjtit dyshohen për veprën penale të spiunazhit” – tha Kozmaqi për KALLXO.com.

Nga zyra e Kryeprokurorit u konfirmua se Prokuroria Speciale do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme brenda afateve ligjore.

Sipas një komunikate për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, arrestimet kanë ndodhur pas hetimeve disa mujore.

Arrestohen dy persona në Ferizaj, dyshohen për spiunazh