Personeli mjekësor në spitalin e Krujës duke trajtuar qytetarët me simptoma të helmimit. Foto: Elvis Hila.

Amoniaku në ujë fajësohet për helmimin e qindra banorëve në Krujë

Suzana Baka e kaloi të hënën dhe të martën në varavingo nga shtëpia në spitalin e Krujës, pasi të dy fëmijët e saj shfaqën simptoma të helmimit.

“Mbrëmë kam qenë me djalin dhe sot me vajzën, nga uji. Gjendja tani është më mirë. Mjekët dhe infermierët, gjithçka në rregull,” thotë gruaja që qëndron në këmbë të shtratit të së bijës që po merr serum.

Dëshmitare e situatës, Baka thotë se spitali ka dy ditë që është plot me të sëmurë. “Mbrëmë ka qenë plot, sot është plot,” shtoi ajo.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, 370 persona kërkuan ndihmë mjekësore në spitalin e Krujës pasi shfaqën shenja të helmimit. Dyshimet e qytetarëve se helmimi ishte shkatuar nga uji u konfirmuan nga përgjigjet e analizave të para.

Redi Rroshi, drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Krujë i tha BIRN se uji i pijshëm i qytetit kishte rezultuar i ndotur.  “Kemi marrë rezultatet e analizave fiziko-kimike të ujit dhe ka rezultuar përqindje e lartë amoniaku,” tha ai. Rroshi tha megjithatë tha se ende priteshin analiza për të shpjeguar situatën. Ai shtoi se po ashtu priteshin ekspertët të shpjegonin shkaqet e sasisë së lartë të amoniakut në ujë.

Bashkia e Krujës ka një ujësjellës të ri, që u inaugurua nga kryeministri Edi Rama në 27 mars të këtij viti. Në një video të shpërndarë nga ERTV, Rama ironizonte demokratët dhe thoshte se ujësjellësi garantonte 24 orë ujë të pijshëm. “Gëzuar, perfekt,” thotë Rama në video, pasi pi ujë nga një shishe e mbushur pranë depozitës.

Drejtues të opozitës akuzuan qeverinë të martën dhe kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për situatën në Krujë. Duke iu referuar inaugurimit nga Rama të ujësjellësit të Krujës më 27 mars, pak ditë pas fillimit të fushatës elektorale të këtij viti, deputetja e Partisë Demokratike Orjola Pampuri, tha se  ishte prekur “jeta e qytetarëve për shkak të tenderave korruptivë të kësaj qeverie”. Deputetja e PD-së tha se nuk donte të politizonte situatën, por theksoi se korrupsioni po u kushtonte shumë qytetarëve.

Pas helmimeve masive, Ujësjellësi i Krujës deklaroi të martën se kontaminimi i ujit të pijshëm nga amoniaku ka pasur si shkak ‘rreshjet e dendura të shiut” të shunën dhe të dielën. Në njoftim shtohet se analizat periodike kishin rezultuar në norma optimale.

Qyteti në panik

Helmimi krijoi panik në qytet, të cilit i është ndërprerë edhe uji që prej të hënës në mëngjes. Qytetarët kërkojnë që ngjarja të zbardhet dhe personat përgjegjës për furnizimin me ujin të mbajnë përgjegjësi.

“Unë kam dy kalamajtë e vëllait tim të helmuar. Dje e kanë çu në serum, mram në serum, sot në serum. Drejtori i ujësjellësit duhet të mbajë përgjegjësi për këtë punë. Këtë e bajnë drejtuesit e paaftë,” tha një qytetar në hyrje të spitalit të Krujës.

Një tjetër qytetar që ndodhej po ashtu në spital tha se nëse nuk gjenden shkaktarët, situata do të përsëritej. “Problemi është se mos bëhet fenomen puna e ujit, sepse te uji fillon gjithçka dhe nëqoftëse nuk zgjidhet puna e ujit, atëherë hajde sa të duash këtu tek spitali. Le të bëjnë punë doktorat dhe doktoreshat këtu, po s’u gjet shkaku është kot, sepse aty është problemi,” thotë qytetari, që është në një dhome me Suzana Bakën.

Prokurori i Rrethit të Krujës, Petrit Çano i tha BIRN se ishin nisur hetimet që prej mëngjesit të të hënës, por priteshin përgjigjet e analizave për të vijuar më tej ato. Çano tha se ishin urdhëruar një sërë ekspertizash, ndërsa ishin marrë edhe dëshmi të qytetarëve.

Edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se ekspertët e shëndetit në varësi të saj po hetonin për shkaqet. “Ekspertët tanë janë duke investiguar në të gjitha pistat. Të gjitha rastet që janë paraqitur janë paraqitur me gastroenterid. Janë marrë të gjitha mostrat dhe analizat laboratorike, janë marrë ato të ujit, janë marrë gjithashtu edhe të ushqimeve. Janë një seri pistash të cilat janë duke u investiguar”, tha Manastirliu gjatë një vizite në spitalin e Krujës.

Për shkak të dyshimeve se uji ishte fajtor për helmimin, autoritet thanë se kishin marrë pasa për të furnizuar me ujë nga botet dhe me shishe qytetin. “Po merren masa nga pushteti lokal dhe Agjensia e Mbrojtjes Civile që të gjitha banorët të marrin uji të pijshëm. Do shpërndajmë me autobot dhe koli”, tha Prefekti i Durrësit, Roland Nasto.

Situata në spital

Qytetarë duke marrë serum në spitalin e Krujës. Foto: Elvis Hila.

Ministrja Manastirliu tha në Krujë se strukturat mjekësore ishin mobilizuar dhe se të sëmurëve nuk do u mungonte asgjë. Ministrja tha se priste që situata të normalizohej, por nga ana tjetër shtoi se ishte hapur ndërkohë një pavion në spitalin e Durrësit për qytetarët nga Kruja. “Ne kemi marrë masat që nëse do të ketë raste të shtuara, jo vetëm ky spital, por edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion në gatishmëri,” tha ajo.

Njësoj edhe drejtoresha e spitalit të Krujës, Yllka Kukalaj tha se situata ishte e përballueshme. Ajo tha se pjesa më e madhe e të sëmurëve enuk kishin shfaqur komplikacione dhe pas mjekimit ishin larguar për në shtëpitë e tyre. Në kohën kur Ministrja e Shëndetësisë vizitoi spitalin, në mesditën e të martës, rreth 30 pacientë ishin të shtruar në dhomat e tij.

“Jam e sëmurë si gjithë tjerët. Shërbimi është i rregullt. Dje më ka filluar (simptomat) dhe mbrëmë kam ardh në spital”, thotë Drita Kalaj një prej atyre që vijojnë të qëndrojnë të shtruar.

Por shumica e të sëmurëve largoheshin nga spitali pasi merrnin serum. Për shumicën prej tyre fajtor ishte uji.

Në një reagim për situatën presidenti Ilir Meta kërkoi zbardhje të menjëhershme të shkaqeve të helmimit që ai tha përbënin “kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”. (reporter.al)