Ambasada gjermane: Pavarësimi energjetik i Kosovës, moment historik

Ambasada Gjermane në Kosovë e ka quajtur historike hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Lidhjes me Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmetimit (ENTSO-E) me KOSTT.

Përmes një njoftimi Ambasada ka thënë se Marrëveshja e Lidhjes më në fund mundëson krijimin e një zone të pavarur të kontrollit për Kosovën.

“Për ta arritur këtë Gjermania qëndroi përgjithmonë në krah të qeverive dhe institucioneve kosovare. Ne së bashku besojmë në përfitimin e bashkëpunimit tonë për stabilitetin rajonal dhe jemi të bindur se Marrëveshja e Lidhjes me ENTSO-E është thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik në rajon” thuhet në njoftim.

Sipas Ambasadës, përtej stabilizimit të mëtejshëm të rrjetit energjetik Evropian, një rezultat shumë i rëndësishëm i vendimit të fundit do të jetë funksionalizimi i linjës së energjisë 400 kV midis Kosovës dhe Shqipërisë që është financuar nga bashkëpunimi financiar gjerman me më shumë se 75 milion Euro.

“Në përgjithësi, qeveria gjermane dhe organizata e saj implementuese KfË kanë investuar afër 100 milion Euro në shtrirjen dhe modernizimin e rrjetit kosovar të transmetimit të energjisë elektrike” thuhet tutje një njoftim.

Kjo marrëveshje u nënshkrua më 30 qershor të këtij viti, ndërsa me 29 shtator ka hyrë në fuqi pasi ENTSO-E ka vlerësuar që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operoj e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.