Kuçi: Kosova nga sot është bllok i pavarur energjetik

Sot ka hyrë në fuqi marrëveshja e kyçjes KOSTT dhe ENTSO-E për rrjetin energjetik të Kosovës.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje e bën Kosovën palë të barabartë me rrjetet e tjera të transmisionit në Europë, mundëson operimin si Zonë e përbashkët Rregulluese Kosovë-Shqipëri, ndal padrejtësinë e vazhdueshme që nga paslufta, ku Serbia ka inkasuar të hyrat nga energjia transite që ka kaluar nëpër rrjetin e Kosovës, dhe kjo marrëveshje kornizon kufijtë energjetikë të Kosovës.

“Shpresoj që kjo do të reflektohet edhe në zgjidhjet në problemeve energjetike në veri, sepse përtej çdo problemi politik që mbretëron në atë pjesë, kjo është çështje e sundimit të rendit dhe ligjit” ka shkruar ministri i Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi në Facebook.

Kjo marrëveshje u nënshkrua më 30 qershor ndërsa sot ka hyrë në fuqi pasi ENTSO-E ka vlerësuar që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operoj e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.