Foto: ZKM

Albin Kurti takoi Elvis Naçin, i cili vendosi gurin e themelit për ndërtimin e një lagjeje në Podujevë në vlerë 1 milion euro

Gjatë ditës së sotme është vendosur guri i themelit të ndërtimit të lagjes së re në Podujevë, ku do të ndërtohen shtëpi dhe infrastruktura përcjellëse për familjet në nevojë.

I gjithë projekti humanitar do tē kushtojë 1 milion euro ndërsa po mundësohet nga fondacioni “Shqiptarët për shqiptarët”.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot shefi i Qeverisë Albin Kurti është takuar me humanistin, njëherësh teologun, Elvis Naçi dhe bashkëpunëtorët e tij, Ilir Hoxholli, Sylejman Rrahmani dhe Lulzim Rama.

Në këtë takim Kurti ka qenë i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Në praninë e kryetarit Bulliqi, z.Naçi, qytetarëve të Komunës së Podujevës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e udhëheqësve fetarë lokal, dje u vendos gurthemeli i ndërtimit të lagjes së re në Podujevë ku do të ndërtohen shtëpi dhe infrastruktura përcjellëse për familjet në nevojë të kësaj komune. Ky projekt humanitar me vlerë prej 1 milion euro, po mundësohet nga fondacioni “Shqiptarët për shqiptarët””, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas njoftimit, Kryeministrit Kurti e falënderoi humanistin Elvis Naçi, për punën e palodhur dhe kontributin e çmueshëm për komunitetet në nevojë. “Shoqëria jonë shquhet për vlera dhe karakterin humanist. Çdo gjeneratë ka pasur në mesin e tyre veprimtarë humanistë që kanë marrë përsipër misione fisnike për t’i dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë, u shpreh kryeministri Kurti. Ai shtoi se gjatë qeverisjes së tij, shoqatat dhe veprimtarët humanistë do të bashkëpunojnë me institucionet për të plotësuar, e jo zëvendësuar, njëra-tjetrën drejt qëllimit për rritjen e mirëqenies së qytetarëve”, thuhet tutje në njoftim.