Albin Kurti: Marrëveshja e Ohrit të formalizohet me nënshkrim, Radojçiq të dorëzohet në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë deklaroi se për aq kohë sa Milan Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun me Serbinë.

Derisa, theksoi se marrëveshjen e Ohrit kanë kërkuar që ta formalizojnë me nënshkrim, pasi vetëm ashtu garantohet zbatimi.

“Të mërkurën u mbajt takimi i nivelit të lartë të dialogut. Ky ishte takimi i parë pas sulmit terrorist në Banjskë, pas 9 muajve nga sulmi Radoiçiq është ende i lirë dhe po mbrohet nga Serbia. Nuk mund ta ringjallin Afrim Bunjakun por Serbia duhet ta dorëzoj Radoiçiq që të përballet me drejtësinë në Kosovë”- u shpreh Kurti.

Sipas tij, vetëm nënshkrimi i marrëveshjes më Serbinë garanton zbatimin.

“Mirëbesimi në dialog dhe zbatimi i marrëveshjes është humbur nga letra e deponuar nga Ana Bërnabiq e cila e lexoi para 27 shteteve anëtare dhe letra thoshte se Serbia nuk e njeh marrëveshjen. Letra e 13 dhjetorit dhe marrëveshja bazike, janë në kundërthënie themeltare me njëra tjetrën”- shtoi më tej Kurti.

Kurti theksoi se në takimin që patën të mërkurën, presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm të zbatonte asnjë nga tri kërkesat e Kosovës.

“Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektonte asnjërën. Ne jemi për dialog për normalizim, kjo bëhet me pranimin në tërësi të marrëveshjes dhe zbatimin e saj. Nënshkrimi i marrëveshjes nënkupton formalizim, kurse dorëzimi i Radoçiq do të kuptonte vendosje të drejtësisë”- tha Kurti.

Kurti madje përmendi edhe ndalimin e organizimit të festivalit ‘Mirëdita, Dobar dan’

“Edhe një formë më shumë me të cilën Serbia po e shfaq shovinizmin e saj të tepër” – potencoi Kurti.

Më 26.06.2024, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se takimi trepalësh në Bruksel nuk ka ndodhur pasi ekzekutivi kosovar ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet nga ai të vëna ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti tha se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.

“Unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijne nëpërmjet tri garancive që kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Vetëm nënshkrimi marrëveshjes sjell sigurinë ligjore juridike dhe anulon shkeljet e mëhershme”- u shpreh ai.

“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial. Cili është kuptimi që të zbatosh marrëveshje apo të përpiqesh të normalizosh marrëdhëniet kur të thonë se do të respektohen.

Kurse,  garancia e tretë “që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.

Dy liderët për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Kurti: Kërkova tri garanci, nënshkrimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së Bërnabiq dhe dorëzimin e Radoiçiq