Albin Kurti - FOTO KALLXO

Albin Kurti: Jemi të gatshëm për zgjedhje të reja

Kryeministri në detyrë, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ritheksuar se janë të gatshëm për zgjedhje të reja pas rrëzimit të Qeverisë së tij më 25 mars.

Kurti ka deklaruar se do t’i mundin partitë e tjera politike në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse më 6 tetor kemi dalë të parët, duke i mundur ata një nga një, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja, me ç’rast do t’i mundim edhe po u bënë bashkë që të gjithë ata”, tha ai në një intervistë për Euronews Albania.

Në anën tjetër, LDK-ja pritet të formojë Qeverinë e ardhshme të vendit, ku nuk do të jenë të përfshira LVV-ja e PDK-ja.

Vetëvendosje si partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019, pas rrëzimit të Qeverisë nuk refuzoi por as nuk propozoi një kandidat tjetër për të formuar Qeverinë pas kërkesave të presidentit Hashim Thaçi për të dhënë mandatarin.

Kurse, ky i fundit tha se do t’ia japë mandatin kujtdo që siguron shumicën në Kuvendin e Kosovës.