Qeveria e Kosovës

Albin Kurti i vendosur, thotë se qeveria nuk e përkrah tërheqjen e parave nga Trusti

Kryeministri Albin Kurti e ka përsëritur edhe njëherë se qeveria që ai drejton nuk e mbështet tërheqjen e 30% të Trustit Pensional.

Kurti ka njoftuar se nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura në trustin pensional, 90% e tyre i kanë më pak se 10 mijë euro të akumuluara.

Ai ka përmendur iniciativën për tërheqjen e 30 për qind të trustit e cila është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, mbështetësit e tërheqjes së parave nga trusti po manipulojnë me konceptin e varfërisë, që sipas Kurtit, “nuk bëjnë vet pjesë”.

“Janë këta që kanë sjellë këtë propozim në Kuvend dhe këta që po përdorin rrjetin medial për të manipuluar me qytetarët…. Nuk mundemi një problem tani ta zgjidhim, duke rrënuar të ardhmen”, tha në mes tjerash Kurti.

“Nisma për tërheqjen e trustit nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës i cili në një prononcim medial ka thënë se po të donte FMN-ja do të na jepte mjete t’i shpërndanim për qytetarë dhe nuk do të prekej fondi. Ja pra kush po merret me financa e ekonomi, sipas tij fakti që një fond ekziston,shërben si ftesë e hapur për ta zbrazur atë fond. Fondi është mbledhur për të mos u zbrazur”, tha Kurti.

Kurti shtoi se të gjitha subjektet që e mbështesin këtë iniciativë, e dinë se sa e rrezikshme për ardhmërinë e vendit është një tërheqje e tillë.

“Këtu pritet t’u dal në ndihmë edhe Lista Serbe. Ne nuk kemi sesi e mbështesim një nismë të tillë, kur e kemi kundërshtuar 10% sepse e dinim që do të kërkohet edhe më shumë”, shtoi ai.

Sipas Kurtit nuk ka fitues nga kjo mënyrë përveç se dëmtime për të gjithë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e mbështet një nismë të tillë”, përfundoi ai.

Ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtarë (FMN) tha se kursimet e qytetarëve që grumbullohen në Fondin e Kursimeve Penionale të Kosovës nuk duhet të preken.

https://kallxo.com/lajm/fmn-kunder-prekjes-se-parave-te-trustit/

Ndërkaq, plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës e ka preznatuar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu para Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Edhe qytetarë të shumtë para disa ditëve ishin mbledhur para Qeverisë në shenjë proteste për lejim të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të TRUST-it.

LIVE – Qytetarët kërkojnë t`u lejohet tërheqja e 30% të mjeteve nga TRUST-i