Albin Kurti: E kam vlerësuar marrëveshjen si mundësi për të ecur përpara

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshjen e Ohrit e ka parë si mundësi për të ecur përpara.

Ai në një intervistë për RTK-në tha se për dallim prej para 8 e 10 viteve, këtë radhë Serbia nuk po pranon ta nënshkruajë.

“Sigurisht që kjo nuk është ajo që do paraqiste një marrëveshje të shkëlqyeshme për neve, por unë e kam vlerësuar këtë marrëveshje si njohje de facto dhe si mundësi për të ecur përpara, pra si një marrëveshje që nuk ma mbyll rrugën përpara. Pra, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje që ta ulë tavanin, por ta forcon dyshemenë. Për dallim prej 10 viteve, kësaj radhe Serbia refuzon ta nënshkruajë”- u shpreh ai.

Sipas Kurtit, marrëveshjen e ka pranuar edhe për faktin që ka koncepte universale të mira dhe të drejta siç janë integriteti, sovraniteti, vetëvendosja etj.

“Duke vlerësuar konceptet universale në marrëveshje që janë të drejta dhe të mira dhe duke parë që mund të ecim përpara, unë kam pranuar që ta nënshkruaj këtë. Me këtë rast po ashtu është shpërfaqur destruktiviteti i Serbisë. Mosnënshkrimi nuk lidhet me mungesën e marrëveshjes por me  mungesën e vullnetit të tyre për ta zbatuar. Tani ka indikacione se edhe po shkelet marrëveshja. Pres që kjo sjellje e Serbisë të gjykohet”- shtoi tutje Kurti.

Kryeministri theksoi se ka qenë i vetmi që ka propozuar vazhdimisht modele, zgjidhje, mirëpo sa më aktiv që ishte, aq më shumë ngjallej moskonsistenca e palës tjetër.

Kurti madje ndau edhe një historik të periudhës prej kur kishte nisur procesi për këtë dokument.

“Në 7 muajt e fundit ka një kronologji interesante që tregon kuptimin e procesit, më 18 gusht të vitit të kaluar për herë të parë vihet në agjendë korniza e përgjithshme e marrëveshjes, më 9 shtator vijnë emisarët që sjellin draftin e parë. Unë prisja që do kemi bisedime të nivelit të lartë, derisa më 22 tetor ua kam dorëzuar komentet e para. Sërish nuk pati ndonjë takim të nivelit të lartë dhe u desh të presim deri më 6 dhjetor kur Lajçak na e solli draftin e dytë dhe më 20 janar u kam dorëzuar prapë komente për draftin e dytë”- tha ai.

“Më 6 shkurt e kam pranuar platformën, më 9 shkurt është mbajtur një mbledhje e veçantë e Këshillit Evropian që e inkuadron propozimin evropian në konkluzionet e veta dhe kemi takimin e 27 shkurtit ku ne e pranuam planin, por pala tjetër nuk nënshkroi. Më 18 mars jo vetëm që kemi marrëveshje, por kemi edhe aneks të marrëveshjes për zbatim që prapë pala serbe nuk po e nënshkruan”- u shpreh Kurti.

Kurti tregon se çfarë oferte i bëri Vuçiqit në Ohër