Aksioni i Policisë së Kosovës në veri të vendit, konfiskohen 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë e monedha të tjera

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri me ç’rast janë mbyllur gjashtë njësi të të ashtuquajturës “Bankë Postare e Kursimeve” (Banka Postanske Stedionica).

Sipas një komunikate për media, ky operacion rezultoi me konfiskimin e provave të ndryshme materiale siç janë rreth 1.6 milion euro, mbi 74 milionë dinarë (rreth 630 mijë euro), mbi 19 mijë franga e mbi 13 mijë dollarë amerikanë.

“Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme  materiale siç janë; Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”- thuhet në komunikatë.

Policia thotë se gjashtë filiale të të ashtuquajturës “Bankë Postare Kursimore” në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Sveçla: Mbyllen gjashtë njësi të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare e Kursimeve’ në veri të vendit

Banka Qendrore e Kosovës më 13.05.2024 ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore transitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

BQK thotë se i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Më 01.02.2024 në Kosovë hyri në fuqi një Rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Me Rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave.