AGK reagon ndaj zv/ministrit Enver Dugollit, kërkon që LVV të distancohet nga deklarata e tij

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të zëvendësministrit të Mbrojtjes nga LVV, Enver Dugolli, pasi ky i fundit i është drejtuar gazetarëve me “piskama shkatërruese”.

AGK e ka dënuar fuqishëm përdorimin e një gjuhe të tillë, që sipas tyre, sidomos kur ajo vjen nga një individ që mban post kaq të respektuar, fjala e të cilit ka ndikim dhe i jep formë edhe mendimit të opinionit publik.

“Gazetarët kanë të drejtë të raportojnë, dhe është detyrë e tyre e shenjtë që ky raportim të ndodhë, e të mos fshihet e manipulohet si i tillë. Gazetarët nuk performojnë ‘piskama’, ata mbulojnë ngjarje e zhvillime të ndryshme gjatë ditës, dhe rasti të cilit i është referuar Dugolli, nuk do të duhej të lihej në terr mediatik, siç pretendon ai”, ka thënë AGK.

AGK ka ftuar zyrtarët politikë dhe partitë e tyre politike të distancohen nga qëndrime të tilla të cilat vetëm sa e minojnë më shumë punën e gazetarëve në Kosovë.

“Piskamat shterruese e dëshpëruese të disa “gazetarëve” për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht “viktimën plitike” madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë… Krijohet përshtypja se kushedi se ç’farë krimi i madh mund të ketë ndodhur… Gazetari se jo mahi…” kishte shkruar Dugolli në Facebook.