Agjencia e Statistikave të Kosovës pa zyrtar për mbrojtjen e të dhënave

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) është pa zyrtar për mbrojtjen e të dhënave siç kërkohet me ligj.

Kjo gjetje është evidentuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin “Qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës”.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton se: Kontrolluesi dhe përpunuesi caktojnë një zyrtar për mbrojtjen e të dhënave.

Sipas Auditorit, ASK-ja konsiderohet kontrollues dhe përpunues i të dhënave dhe ka obligim caktimin e këtij zyrtari.

Në raportin e ZKA-së thuhet se ASK-ja është grumbullues, përpunues dhe kontrollues i shumë të dhënave, që brenda tyre përmbajnë edhe të dhëna personale dhe të ndjeshme dhe sipas ligjit është e obliguar të caktojë një zyrtar për mbrojtjen e të dhënave në mënyrë që t’i shmanget ekspozimit të padëshiruar të të dhënave.

Mirëpo, Auditori ka gjetur se ASK-ja nuk kishte të punësuar asnjë zyrtar për mbrojtjen e të dhënave.

Auditori ka potencuar se mungesa e zyrtarit mund të ndikojë në klasifikimin joadekuat të informacioneve.

“Kontrollues i të dhënave është çdo person fizik ose juridik nga sektori publik ose privat që individualisht ose së bashku me të tjerët përcakton qëllimet dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale”, ka theksuar ZKA në raportin e auditimit.