Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abrashi: LDK është e fortë, edhe prapë do të qeverisë

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se sot është mbajtur takim me kryetarët e degëve të LDK-së.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Abrashi ka thënë se në këtë takim është dakorduar për orarin e aktiviteteve nëpër degë e nëndegë, vizitat, kriteret për deputetë dhe rolin e diasporës.

Ai ka shkruar se LDK-ja prapë do të qeverisë me vendin.

“Krejt tjerat që i lexoni e dëgjoni janë shpifje. LDK është e fortë, edhe prap kena me qeverisë! Vazhdojmë”, ka shkruar Abrashi.

Në anën tjetër, ende nuk është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshme votën e Etem Arifit për formimin e Qeverisë Hoti.