Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abelard Tahiri kërkon angazhim më të madh nga qeveria në luftën ndaj pandemisë

 

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjatë debatit parlamentar për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti, ka kërkuar angazhim më të madh nga qeveria dhe kryeministri Albin Kurti, pasi vendi po kërcënohet nga një valë e tretë e pandemisë.

Tahiri ka kërkuar që bizneset të kenë një mbështetje financiare nga Qeveria.

“Sot po kërkojmë një përgjegjësi nga qeveria dhe kryeministri Kurti si dhe qeverisje më dinamike. Jemi i vetmi vend në rajon që nuk kemi pako të rimëkëmbjes ekonomike. Mirëpo nuk e  fajësoj vetëm qeverinë Kurti sepse kemi pasë 3 qeveri që nga fillimi i pandemisë”, ka thënë deputeti i PDK.

Tahiri ka thënë se nëse vala tjetër e mbylljes i zë bizneset e “lënduara”, pa angazhimin e qeverisë, do të jetë degraduese dhe shkatërruese për vendin.

Tahiri ka prekur edhe sektorin e shëndetësisë dhe ka kërkuar angazhim më të madh nga ministri Arben Vitia që të rritet numri i të vaksinuarve.

“E lusim ministrin e shëndetësisë që të angazhohet më shumë në vaksinimin e  qytetarëve  dhe të jetë më shumë prezent nëpër pjesë të ndryshme të qyteteve të Kosovës në mënyrë që të bëjë një vaksinim më të madh të qytetarëve para shtatorit”, tha Tahiri.

Në anën tjetër ka kërkuar edhe nga ministrja e arsimit Arbërie Nagavci një angazhim dhe një plan më konkret, në rast të mbylljes se si do të fillojë procesi mësimor, dhe se çfarë platforme ka menduar ministria për mësim më efektiv për nxënësit e të gjitha niveleve.