Kurti lavdëron qeverinë e tij për 100 ditët e para

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka lavdëruar punën e tij dhe të kabinetit të tij për 100 ditët e para të punës.

“Në këto 100 ditë ne kemi marr 144 vendime dhe kemi kaluar projektligje dhe dokumente të rëndësishme”, tha kryeministri Kurti para kabinetit të tij.

Tutje, Kurti tha se siç e kanë deklaruar në fushatë, prioritet e kanë pasur situatën me pandeminë COVID-19.

“Nuk gjetëm asnjë vaksinë kur u kthyem dhe asnjë kontratë, ndërsa sot kemi 2 milionë vaksina të siguruara. Gjendja me pandeminë është vënë nen kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm. Ky është sukses të cilit duhet ti gëzohemi të gjithë. Pandemia në këto 100 ditë është menaxhuar me sukses, e kemi përmbushur premtimin bazë”, tha në mes tjerash kryeministri Kurti.

Kurti tha që me lirimin e masave është rritur edhe ekonomia.

“Në këto 100 ditë ekonomia jonë i është përgjigjur mirë qeverisjes tonë së mirë. Eksportet janë rritur për 6.6%”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme po bën shqyrtimin e draftit të raportit 100-ditor të saj.