Abdixhiku: Si pasojë e papërgjegjësisë së qeverisë SHBA thekson se nuk është koha për njohje nga Serbia

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiu, ka thënë se gjatë dy viteve me Qeverinë Kurti, pozicioni ndërkombëtar i Kosovës qartazi është rënduar.

Ai ka thënë se aleati kryesor i Kosovës (SHBA), ka theksuar se nuk është koha për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njohja e ndërsjellë, respektivisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden. Tani aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje. Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populliste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradojë relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen”- ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se Qeveria e Kosovës bëri regres në fundament me partnerë strategjik

“Dhe kështu, si në asgjë, në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë – Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmën, regresoj në fundament me partnerë strategjik duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik”- ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga liderët shtetëror të japin një shpjegim për këtë çështje.

“Liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën – në dy vite të tyre – deri tek ky përfundim. Sepse politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik”- ka shkruar lideri opozitar.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po pretendon se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sipas presidentit të Serbisë edhe një vend tjetër, i dhjeti, po pritet të veprojë njëjtë.

Siç raporton agjencia serbe e lajmeve Tanjug, në konferencën e përvitshme për media, Vuçiq ka thënë se 106 shtete nuk e kanë njohur Kosovën, 84 e kanë njohur pa mëdyshje, e 3 të tjera “nuk janë të qarta”.